Mediat shtetërore të Egjiptit kanë raportuar se ish-presidenti i këtij shteti, Mohamed Morsi, ka vdekur pasi është paraqitur në gjykatë. Sipas tyre, ai fillimisht është ndjerë keq, kurse më tej ka ndërruar jetë.
Morsi ishte zgjedhur president i Egjiptit në mënyrë demokratike pas “Pranverës Arabe” në vitin 2011. Në atë kohë ishte rrëzuar ish-presidenti Hosni Mubarak, i cili kishte qëndruar për 30 vjet me radhë në pushtet.
Morsi u largua me forcë nga pushteti pas protestave masive dhe puçit ushtarak të korrikut të vitit 2013. Ai shërbeu si presidenti i Egjiptit vetëm për një vit, ndërsa organizata “Vëllazëria Myslimane”, pjesë e së cilës ishte, u shpall organizatë ilegale nga pushteti i presidentit aktual, Abdel Fattah el-Sisi.