Së paku 40 persona u vranë nga një sulm ajror që goditi një qendër të ndalimit të migrantëve në Libi, njoftuan zyrtarët. Rreth 80 të tjerë u raportuan të plagosur në shpërthimin që ndodhi në një objekt në periferi të kryeqytetit Tripoli.
Shumica e të vrarëve raportohet të jenë emigrantë afrikanë. Qeveria me bazë në Tripoli fajësoi për sulmin të ashtuquajturën Ushtri Kombëtare Libiane, të udhëhequr nga gjenerali Khalifa Haftar.
Qeveria kërkoi nga Kombet e Bashkuara të krijojë një komision faktmbledhës për të hetuar sulmin. Gjenerali Haftar po lufton qeverinë në Tripoli, të mbështetur ndërkombëtarisht, qysh në muajin prill.
Një zëdhënës i tij tha për agjencinë e lajmeve Reuters se forcat e Haftarit nuk e kanë goditur qendrën e migrantëve. Agjencia e OKB-së për refugjatë tha se është “jashtëzakonisht e shqetësuar” nga raportet për sulm në qendrën e migrantëve.
Në vitet e fundit, Libia ka qenë një rrugë kryesore për migrantët që përpiqen të arrijnë në Evropë. Ky vend është shkatërruar nga dhuna dhe ndarja qëkur udhëheqësi i tij veteran, Muammar Gaddafi, është rrëzuar nga pushteti dhe është vrarë në vitin 2011./