Gjykata e Nju Jorkut e dënoi udhëheqësin meksikan të rrjetit të drogës, Joaquin "El Chapo" Guzman, me burgim të përjetshëm, plus 30 vjet.
Guzman, 62 vjeç, u shpall fajtor për dhjetë akuza, përfshirë atë për trafikim të drogës dhe shpëlarje parash, në muajin shkurt.
Ai u arratis nga burgu i Meksikës përmes tunelit në vitin 2015, por u arrestua më vonë.
Më 2017, është ekstraduar në Shtetet e Bashkuara.
Ai ka udhëhequr kartelën Sinaloa në veri të Meksikës, që sipas zyrtarëve ka qenë furnizuesja më e madhe e drogës në SHBA.
"El Chapo" është akuzuar për dërgimin e qindra tonelatave kokainë në SHBA, si dhe për konspiracion për të shpërndarë heroinë, metamfetaminë dhe marijuanë.
Ai po ashtu thuhet se ka paguar njerëz për të kryer qindra vrasje, sulme, rrëmbime dhe akte torturash.
Gjatë gjykimit, dëshmitarët kanë thënë se "El Chapo"ka torturuar armiqtë e kartelit të tij.
Duke folur përmes një përkthyesi pak para se t'i shpallej dënimi të mërkurën, Guzman tha në sallën e gjyqit se burgimi i tij në SHBA ka qenë "torturë psikologjike, emocionale dhe mendore 24 orë në ditë".
Në vitin 2009, ai ka hyrë në listën e burrave më të pasur në botë, të përpiluar nga revista Forbes.