Presidenti rus, Vladimir Putin urdhëroi ditën e mërkurë angazhimin e forcave të ushtrisë për përballimin e situatës së krijuar nga vatrat e zjarrit në rajonin e Siberisë. Ky vendim presidentit Putin erdhi pas takimit që ai zhvilloi me kreun e emergjencave për situatën e pazakontë në Siberi, si pasojë e zjarreve.
Burime zyrtare bëjnë me dije se ditët e fundit, nga vatrat e zjarrit në Siberi është djegur një sipërfaqe prej 3 milionë hektarësh me pyje duke bërë aktivistët e Greenpeace ta konsiderojnë si një katastrofë ekologjike.
Mbi 700 mijë persona iu bashkuan nënshkrimit të një peticioni për të shpallur gjendjen e emergjencës në Siberi pasi sipas tyre autoritetet nuk kanë bërë sa duhet për përballimin e kësaj situate emergjente. Aktualisht mbi zonën e prekur po fluturojnë 10 helikopterë dhe 10 avionë të posaçëm për krizat e shkaktuara nga zjarret.
Aktivistët e Greenpeace Russia raportojnë se qytetet më të mëdha në Siberi janë përfshirë nga një re tymi toksik që tashmë ka mbërritur deri në Urale. Organizata vlerëson se sipërfaqja e djegur në Siberi është e barabartë me territorin e Belgjikës.