Ambasadori amerikan në Rusi Jon Huntsman Jr. i paraqiti Presidentit Donald Trump dorëheqjen, duke sinjalizuar përfundimin e mandatit të tij dy vjeçar.
Në letrën e tij zoti Huntsman falënderon presidentin për "besimin e treguar për të shërbyer si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Rusi gjatë kësaj periudhe marrëdhëniesh të vështira dypalëshe", siç shkruan ai.
Dorëheqja hyn në fuqi më 3 tetor.
Zoti Huntsman, anëtar i Partisë Republikane, la detyrën e guvernatorit të shtetit të Jutas në 2009-n, kur ish-Presidenti Barack Obama e emëroi atë si ambasador në Kinë. Një vit më parë ai ishte rizgjedhur për një mandat të dytë si guvernator.
Presidenti i dhomës së biznesit të qytetit Salt Lejk, i cili ka punuar me zotin Huntsman kur ai ishte gurvernator, tha se ai planifikon të kthehet në shtetin e tij dhe se sipas njoftimeve po sheh mundësinë për të kandiduar sërisht si guvernator.
Agjencia shtetërore ruse e lajmeve “Tass” citoi një zëdhënës të ministrisë së Jashtme i cili vlerëson profesionalizmin e zotit Huntsman, por shton se "situata e brendshme politike në SHBA e bëri të pamundur zhvillimin e plotë të lidhjeve dypalëshe".
Rrjeti televiziv CNN njoftoi se presidentët e të dy vendeve diskutuan rreth nevojës për një ambasador të ri amerikan në Rusi gjatë një telefonate të zhvilluar javën e kaluar. Por sipas CNN-it dy udhëheqësit nuk kishin përmendur ndonjë emër për zëvendësimin e zotit Huntsman.
Jon Huntsman ka shërbyer gjithashtu si ambasador i SHBA-së në Singapor në fillim të viteve 1990 si dhe si zëvendës përfaqësues për tregtinë gjatë administratës së ish-presidentin George W. Bush.