Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, tha se ka marrë një “letër të bukur” nga lideri suprem i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, duke shtuar se shumë shpejt mund të ketë një takim tjetër me të. Duke folur këtë të premte para mediave amerikane, Shefi i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump nuk dha detaje se kur mund të bëhet një takim i tillë.
Koreja e Veriut ka testuar sërish raketa edhe pas takimit të 30 qershorit midis Trumpit dhe Kimit, në të cilin të dy liderët ranë dakord për të rihapur bisedimet e lëna pezull mes tyre.
Pheniani nga ana tjetër ka deklaruar se testimi i raketave është bërë si përgjigje ndaj ushtrimeve të përbashkëta ushtarake që janë zhvilluar ndërmjet Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara. SHBA-ja po synon që përmes bisedimeve të arrijë në një kompromis për denuklearizimin e Koresë së Veriut dhe “frenimin” e ideve të Kim Jong-un mbi raketat bërthamore.