Presidenti Trump sulmon Senatorin republikan Mitt Romney

Diel, 06 October 2019 19:17

Fundjava nuk po shërben si një pushim për betejën e hetimit për shkarkimin e Presidentit Donald Trump. Ai shkruajti disa mesazhe të forta në Twitter, duke sulmuar si demokratët, ashtu edhe anëtarë të rëndësishëm të partisë së tij republikane.

Presidenti Trump e sulmoi ashpër në Twitter Senatorin republikan Mitt Romney, të cilin e quajti të “kapardisur” dhe një “naivë që po bie plotësisht në prehrin e demokratëve”.

Arsyeja kishte të bënte me reagimin e Senatorit Romney, ndaj këtij komenti të Presidentit Trump:

“Kina duhet të hetojnë Biden-at”, u tha gazetarëve Presidenti Trump ditën e enjte.

Senatori Romney shkruajti në Twitter se “thirrja e paprecedentë dhe pa takt drejtuar Kinës dhe Ukrainës për të hetuar Joe Biden-in është e gabuar dhe revoltuese”.

Ai është senatori i parë republikan që kritikon drejtpërsëdrejti sjelljen e Presidentit Trump.

Mbrëmë, Senatorja Collins e shtetit Maine, iu bashkua me kujdes Senatorit Romney. Megjithëse, asaj do t’i duhet të përballet me një betejë të vështirë për t’u rizgjedhur, Senatorja Collins e quajti thirrjen e Presidentit Trump drejtuar Kinës “krejtësisht të papërshtatshme”. Megjithatë, ajo nuk tha nëse Presidenti Trump ka bërë shkelje duke i bërë presion Ukrainës për të hetuar Biden-at.

“Unë do të jem në rolin e anëtares së jurisë, siç isha gjatë gjykimit të Presidentit Clinton. Prandaj nuk dëshiroj të paragjykoj evidencën, e cila nuk është marrë ende e tëra”, u tha gazetarëve Senatorja Collins.

Siç pritej, demokratët po e kritikojnë më haptazi Presidentin Trump, në veçanti ata që kandidojnë për zgjedhjet presidenciale.

“Ky President ka vënë interesat e tij të biznesit, interesat e tij politike, si dhe interesat e tij partiake, mbi interesat e vendit”, deklaroi Amy Klobuchar, kandidate demokrate për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

“Let të jemi të qartë – këtu shohim qartë një shkarkim të ardhshëm, me kollare të kuqe”, tha kandidatja demokrate Kamala Harris.

Në vazhdim të hetimeve, komisionet e Dhomës së Përfaqësuesve pritet të dëgjojnë nga dy diplomatë amerikanë.

Të martën pritet të paraqitet ambasadori amerikan në Bashkimin Evropian, ndërsa të premten, do të dëgjohet Marie Yovanovitch, ish-ambasadorja amerikane në Ukrainë, e larguar nga kjo detyrë nga Presidenti Trump.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha se Departamenti i Shtetit do të bashkëpunojë, por pa tejkaluar masën.

“Ka patur hetime nga Kongresi që i kanë shqetësuar dhe abuzuar punonjësit e Departamentit të Shtetit, duke i kontaktuar drejtpërsëdrejti dhe u kërkuar të ofrojnë dokumenta që janë pronë e Departamentit të Shtetit. Kjo është përndjekje, dhe unë nuk do të lejoj kurrë që t’i ndodhë ekipit tim”, deklaroi nga Athina, Sekretari amerikan i Shtetit. VOA

Modifikuar më Diel, 06 October 2019 19:18
Login to post comments