Autoritetet irakiane thanë të hënën se çdo pjesëtar i forcave të sigurisë do të mbajë përgjegjësi për çdo "veprim të gabuar" ndaj protestuesve antiqeveritarë.
Ndërkohë ushtria po tërheq trupat nga pjesa verilindore e Bagdadit, një veprim që me sa duket kërkon të shmangë përshkallëzimin e situatës.
Gjatë natës të paktën 13 persona u vranë në përleshjet mes protestuesve e forcave të sigurisë. Që prej fillimit të protestave rreth një javë më parë, janë vrarë më shumë se 100 vetë.
Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme të Irakut tha të dielën se 6,107 vetë janë plagosur, përfshirë dhe rreth 1200 forca të sigurisë. Sipas tij, tetë punonjës të sigurisë kanë vdekur në përleshje.
Protestat vazhduan edhe të dielën. Disa qindra protestues antiqeveritarë u mblodhën në periferi të kryeqytetit Irakian. Sipas dëshmitarëve ushtria qëlloi në drejtim të protestuesve dhe bllokoi një rrugë kryesore pranë qytetit Sadr për të parandaluar përparimin e demonstruesve.
Protestuesit i kanë zgjeruar kërkesat e tyre nga thjesht kërkesa për punë e shërbime më të mira, si ujë e drita, në thirrje për t'i dhënë fund korrupsionit në vendin e pasur me naftë me një popullsi prej rreth 40 milionë banorësh.
Të dielën qeveria publikoi një plan të ri reformash në një përpjekje për t'iu përgjigjur protestave që i gjetën autoritetet të papërgatitur.