Grupet e opozitës në Honduras bënë thirrje për vazhdimin e protestave me kërkesën për largimin e Presidentit Juan Orlando Hernandez, pasi vëllai i tij i vogël u dënua për trafik droge nga një gjykatë në Nju Jork.
Mijëra njerëz protestuan në Honduras në orët e para të mëngjesit pasi Juan Antonio Hernandez u dënua të premten në atë që prokurorët amerikanë e përshkruan si një komplot të “trafikimit të drogës të mbështetur nga shteti”.
“Dënimi i Juan Antonio Hernandez është dënim për Presidentin Hernandez. Populli në Honduras nuk mund të lejojnë për asnjë minutë që vendi të qeveriset nga krimi, trafiku i drogës, diktatura dhe tirania që mohon të drejtat e popullit.”
Carlos Eduardo Reina është udhëheqës i opozitës. “Nuk do të ketë paqe në Honduras nëse nuk bie kjo qeveri.”
Ish kandidati për president Xiomara Castro De Zelaya fajëson qeverinë e Hondurasit si bashkëpunëtore me krimin.
“Shteti i Hondurasit do të ishte bërë strehë e sigurtë për trafikantët e drogës.”
Protestuesit bllokuan rrugët në gjysmën e vendit që përbëhet nga 18 provinca, duke u vënë zjarrin barrikadave, ndërsa disa përfituan nga situata dhe plaçkitën dyqanet.
Sipas njoftimeve të policisë së atij vendi, nuk ka patur arrestime, ndërsa organet e rendit u kanë kërkuar protestuesve të shprehin shqetësimet e tyre në rrugë paqësore pa cënuar të drejtat e të tjerëve.
Presidenti Hernandez postoi në rrjetin Twitter se verdikti në Nju Jork nuk ishte kundër shtetit të Hondurasit, duke u shprehur se qeveria e tij ka luftuar trafikun e drogës./VOA