Polemikat për hetimin e Presidentit Trump

Hënë, 04 November 2019 19:20

Presidenti amerikan Donald Trump, i cili përballet me një hetim në rritje nga demokratët që përpiqen ta shkarkojnë, tha të hënën se përgjigjet me shkrim nga ana e informatorit që u bë shkak për hetimin nuk janë të mjaftueshme.

Një informator në Shtëpinë e Bardhë ishte i pari që bëri të ditur se gjatë një bisede në korrik të këtij viti, zoti Trump ushtroi presion mbi Ukrainën që ajo të hetonte njërin prej rivalëve të tij politikë demokratë për zgjedhjet e 2020-s, ish-nënpresidentin Joe Biden.

Presidenti Trump tha sot në Twitter se informatori “duhet të sillet për të dëshmuar"."Përgjigjet me shkrim nuk pranohen!" Ai e quajti hetimin për shkarkimin e tij një farsë.

Një ditë më parë, avokati i informatorit, Mark Zaid, tha se klienti i tij, i cili mbetet anonim, është i gatshëm t’u përgjigjet me shkrim pyetjeve të mbështetësve republikanë të Presidentit Trump, por jo pyetjeve për identitetin e tij.

Presidenti Trump shkruante gjithashtu në Twitter se: "Ajo që thashë në bisedën telefonike me Presidentin e Ukrainës u deklarua" në mënyrë të përkryer. Nuk ka asnjë arsye për të thirrur dëshmitarë për të analizuar fjalët dhe kuptimet e mia. Kjo është thjesht një tjetër farsë e demokratëve, me të cilën më është dashur të përballem nga dita kur u zgjodha. E turpshme!"

Ndërkaq, disa persona të thirrur për të dëshmuar sot dhe më vonë gjatë javës në hetimin që synon ngritjen e akuzave për shkarkimin e Presidentit Trump, nuk po i binden kërkesës së ligjvënësve demokratë për t’u paraqitur në seanca me dyer të mbyllura, para se hetimi të kalojë në fazën publike.

Ata kanë refuzuar të paraqiten para komisioneve të drejtuara nga demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve, duke rritur më tej tensionet midis Shtëpisë së Bardhë dhe ligjvënësve lidhur me kompetencat ligjore të këtyre të fundit për të kryer hetime.

Disa demokratë thonë se republikani Trump, i cili ka udhëzuar zyrtarët e administratës që të mos bashkëpunojnë, duhet të përballet me akuzën e pengimit të drejtësisë, në listën e akuzave që ata planifikojnë të ngrejnë ndaj tij si pjesë e procesit të shkarkimit.

Tre zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, përfshirë drejtorin në detyrë të buxhetit, nuk pranojnë të paraqiten, tha një zyrtar i lartë i administratës. Dëshmia e tyre shihet si e një rëndësie kritike për të përcaktuar nëse Presidenti Trump përdori ndihmën e huaj për Ukrainën si mjet për të siguruar një favor politik dhe për të diskredituar rivalin Biden në zgjedhje.

Presidenti mohon se ka kryer ndonjë shkelje.

Ndërkohë një gjykatë apeli e Nju Jorkut urdhëroi Presidentin Trump t'u dorëzojë prokurorëve dokumentet e taksave të tetë vjetëve të shkuara, duke hedhur poshtë përpjekjet e tij të vazhdueshme për të mos deklaruar financat. Një avokat personal i zotit Trump deklaroi se do ta apelojë vendimin në Gjykatën e Lartë të vendit.

Login to post comments