Gjenerali Michael Barbero, nën komandën e të cilit para disa vitesh në Irak kanë qenë dhe trupat shqiptare, pohoi në studion e A2 se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përgatitura për të përballuar çdo sulm të Iranit.
“Jemi të përgatitur për përgjigjen e Iranit në Lindjen e Mesme, por e dimë që Irani ka një rrjet të gjerë terrorist, kështu që goditja mund të vijë edhe në vende të tjera”, tha Barbero.
Nga ana tjetër, gjenerali nuk beson se Amerika do të ndërhyjë në Iran: “Nuk ka mbështetje për këtë në SHBA. Presidenti Trump ka deklaruar që nuk do të ketë luftë të pambarimtë dhe kjo do të ishte e tillë. Mendoj se jemi të përgatitur për të vazhduar politikën e presionit ndaj regjimit në Iran dhe do të mundohemi që me aktorë ndërmjetës t’i sjellim në tryezën e bisedimeve. Irani është burimi më i madh i destabilitetit në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut. Do të mbrojmë njerëzit tanë, por nuk e shikoj të mundshme përshkallëzimin e situatës”.
Qassem Soleimani, sipas tij, ishte më shumë se general, ndaj prej vitesh ishte shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara: “Soleimani ishte më shumë se gjeneral, kontrollonte politikën e Iranit jashtë kufijve. Kishte gisht në shumë vende ku kishte destabilitet. Ishte një përzierje mes ministrit të Jashtëm dhe Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Ndërkohë, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu pohoi se ndër shënjestrat që mund të synojë Irani është edhe Shqipëria.
“Prezenca e opozitës iraniane këtu na kthen në target, por duke qenë vend i NATO-s dhe aleat i SHBA, jemi të mbrojtur”, tha Mediu.