Pritshmëritë e takimit Merkel-Putin

Premte, 10 Janar 2020 19:43

Nga Henry Ridgwell

Kancelarja gjermane Angela Merkel do të shkojë në Moskë të shtunën për bisedime me presidentin rus Vladimir Putin. Takimi ka të ngjarë të përqendrohet në krizën e Iranit – ndërkohë që Gjermania dhe Rusia kanë bërë thirrje për uljen e përshkallëzimit midis Uashingtonit dhe Teheranit. Konflikti i Ukrainës është gjithashtu në rendin e ditës, krahas së ardhmes së gazsjellësit Nord Stream 2 nga Rusia në Gjermani, i cili po përballet me kundërshtim të fortë nga Shtetet e Bashkuara. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell njofton për atë që pritet të jetë një takim i tensionuar në Moskë.

Vladimir Putini bëri një udhëtim të rrallë në Siri të martën - vizita e tij e dytë që kur Rusia ndërhyri në vitin 2015 për të ndihmuar Presidentin Bashar al-Asad në luftën civile të vendit.

Me shqetësimin e saj në rritje për çështjet në Lindjen e Mesme, Rusia po përpiqet të paralajmërojë shpërthimin e një konflikti të ri në Iran, thotë analisti Andrew Foxall.

"Irani i jep Presidentit Putin mundësinë që ta paraqesë veten si paqebërës dhe jo si" ndërmjetësues". Dhe në këtë sens interesat e tij janë të vendosura në të njëjtën linjë me kancelaren Merkel pasi të dy besojnë tek marrëveshja bërthamore e Iranit, të dy besojnë se diskutimi dhe debati janë shumë më të preferueshëm sesa konflikti dhe konfrontimi që po zhvillohet aktualisht mes Teheranit dhe Uashingtonit", thotë analisti Foxall.

Evropa dhe Rusia po përpiqen ta mbajnë gjallë marrëveshjen bërthamore të viti 2015. Shtetet e Bashkuara thonë se marrëveshja ka vdekur.

“Ka ardhur koha që Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Rusia dhe Kina ta njohin këtë realitet. Ata tani duhet të shkëputen nga mbetjet e marrëveshjes me Iranin", tha presidenti Trump.

Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania gjithashtu nuk janë dakort me ndërtimin e gazsjellësit Nord Stream 2 - nga Rusia në Gjermani. Uashingtoni ka vendosur sanksione ndaj kompanive të përfshira.

Ish Sekretari amerikan i energjisë Rick Perry përsëriti shqetësimet e tij gjatë një udhëtimi në Lituani në tetor.

"Nord Stream 2 është krijuar për të çuar një arterie me burim të vetëm në Evropë dhe një goditje në zemër të stabilitetit dhe sigurisë evropiane".

Ukraina - qendra tradicionale për tranzitimin e gazit rus drejt Evropës - rrezikon të humbasë tarifat e vlefshme të tranzitit.

"Ajo që Rusia ka kërkuar të bëjë gjatë viteve të fundit, por ndoshta edhe më gjatë, është të krijojë një mosmarrëveshje në marrëdhëniet transatlantike duke përdorur çdo mjet ose instrument që mund të identifikojë - dhe Nord Stream 2 i siguron Rusisë saktësisht këtë lloj mjeti. Nord Stream 2 padyshim që do të diskutohet në Moskë dhe do të sigurojë një mundësi për të dy - Merkelin dhe Putinin që të angazhohen përsëri në projekt dhe përsëri të argumentojnë se kjo nuk dëmton sigurinë e energjisë evropiane", thotë analisti Foxall.

BE-ja vendosi sanksione ndaj Rusisë pas aneksimit me forcë të Krimesë dhe pushtimit të Ukrainës lindore. Disa shtete evropiane - përfshirë Italinë dhe Hungarinë - po bëjnë përpjekje për t'i dhënë fund sanksioneve.

"Nëse ai kërkon të gjejë një lidhje të dobët tek Bashkimi Evropian, më duket se nuk ka të ngjarë që kjo do të jetë Gjermania dhe kancelarja Merkel, e cila ka qenë në pararojë të argumentimeve për nevojën e këtyre sanksioneve", thotë analisti.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy ka ndërmarrë një qasje të re me Moskën - duke rënë dakord për një seri shkëmbimesh të burgosurish. Angela Merkel e Gjermanisë ka ofruar një mbështetje të fortë.

Me tensione më të larta se në çdo kohë që nga Lufta e Ftohtë, takimi i saj me Vladimir Putinin do të vëzhgohet nga afër për çdo shenjë të një ndryshimi në marrëdhëniet Lindje-Perëndim.

Modifikuar më Premte, 10 Janar 2020 19:44
Login to post comments