Irani ‘pushtohet’ nga protestat antiqeveritare, Trump mesazh mbështetje në twiter

Diel, 12 Janar 2020 09:30

Qindra protestues dolën në rrugët e kryeqytetit të Iranit, Teheran, për të shprehur zemërimin  ndaj zyrtarëve, duke i akuzuar si gënjeshtarë që mohuan sulmin ndaj avionit ukrainas të pasgjerëve.

Protestat u zhvilluan jashtë të paktën dy universiteteve, Sharif dhe Amir Kabir, thuhet në raporte.

 

Tubimi nisi fillimisht si homazh për të respektuar viktimat, por tensionet u rritën gjatë mbrëmjes.

 

Agjensia e lajmeve gjysmë zyrtare e Farsit bëri një raportim të rrallë të trazirave, duke thënë se rreth 1.000 njerëz shpërthyen në parulla kundër udhëheqësve dhe grisnin fotografitë e Soleimanit.

 

Studentët bënë thirrje që përgjegjësit për rrëzimin e avionit dhe të tjerë që tentuan ta fshehin, të ndiqen penalisht.

Thirrjet përfshinin "kërkesën për dorëheqje ndaj komandantit të përgjithshëm ", duke iu referuar Liderit Suprem Ali Khamenei, dhe "vdekje  gënjeshtarëve".

Fars tha se policia kishte "shpërndarë" protestuesit, të cilët po bllokonin rrugët. Policia përdori ndaj tyre gaz lotsjellës.

Përdoruesit e mediave sociale gjithashtu tërhoqën zemërimin ndaj veprimeve të qeverisë.

Megjithatë protestat ishin më të vogla në numër se demonstratat masive në të gjithë Iranin në mbështetje të Soleimanit pasi ai u vra.

Presidenti amerikan Donald Trump përmes një postimi në twitter shprehu mbështetjen për protestat "frymëzuese".

Irani të shtunën pranoi se rrëzoi "pa dashje" avionin ukrainas nga rrëzimi i të cilit humbën jetën 176 njerëz.

Dhjetra iranianë dhe kanadezë, si dhe shtetas nga Ukraina, Britania e Madhe, Afganistani dhe Gjermania vdiqën në avion.

Fluturimi i Ukraine International Airlines PS752, gjatë rrugës për në Kiev, u rrëzua të mërkurën pranë aeroportit 'Imam Khomeini' në Teheran menjëherë pas ngritjes, dhe vetëm disa orë pasi Irani kishte gjuajtur raketa në dy baza ajrore që strehonin forcat amerikane në Irak.

Këto sulme ishin përgjigje e Iranit ndaj vrasjes  nga amerikanët të komandantit të lartë iranian Qasem Soleimani në një sulm me dron në Bagdad në 3 janar.

Login to post comments