Ukraina i ka bërë thirrje Iranit që t’ia kthejë kutitë e zeza të aeroplanit ukrainas me pasagjerë, i cili është rrëzuar më herët gjatë këtij muaji nga një sulm iranian duke lënë të vdekur 176 persona.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Vadym Prystayko i ka bërë këtë kërkesë ministrit iranian për Rrugë dhe Zhvillime Urbane, teksa ky i fundit ka qenë në vizitë në Kiev për të diskutuar tragjedinë.
“Detyra kryesore e Mohammad Eslamit është të kërkojë falje dhe të pranojë atë që ka ndodhur”, u ka thënë Prystayko gazetarëve.
“Ne shpresojmë se mund të shkojmë pak më larg sesa diskutimet politike dhe t’i diskutojmë problemet praktike. Në mesin e tyre është edhe çështja e kthimit të kutive të zeza”, ka thënë ai.
Aeroplani ukrainas është rrëzuar pak pasi ishte nisur nga Teherani më 8 janar. Shumica e viktimave kanë qenë iranianë dhe shtetas kanadezë.
Tri ditë më vonë, Teherani ka thënë se aeroplani është rrëzuar “gabimisht” nga një raketë, në kohën e rritjes së tensioneve me Shtetet e Bashkuara.
Javën e kaluar, Afganistani, Britania, Kanadaja, Ukraina dhe Suedia, shtete, banorët e të cilave kanë humbur jetën në aksident, kanë kërkuar hetim “të plotë, të pavarur dhe transparent”, lidhur me këtë rast.