Britania e Madhe i jep fund bashkëjetesës 47-vjeçare, largohet zyrtarisht nga BE

Saturday, 01 February 2020 08:25

Britania nuk është më pjesë e Bashkimit Evropian. Ky vend i ka dhënë fund anëtarësisë 47-vjeçare në bllokun evropian, duke e lënë atë me 27 anëtarë. Britania tani e tutje do të konsiderohet nga BE-ja si shtet i tretë dhe Përfaqësimi i saj i Përhershëm në këtë bllok do të shndërrohet në mision të jashtëm.

Pas largimit, Mbretëria e Bashkuar do të hyjë në një periudhë tranzitore 11-mujore, në të cilën do të zbatojë rregullat e bllokut evropian mirëpo nuk do të përfaqësohet në institucionet e tij.

Kjo periudhë pritet të zgjasë deri më 31 dhjetor të këtij viti.
Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.​

Mbështetësit e Brexitit e kanë konsideruar këtë ngjarje si fitore, si “ditë të pavarësisë” dhe nisje të një epoke të re për shtetin e tyre.

Disa prej tyre janë dëgjuar duke kënduar “Zot ruaje Mbretëreshën”, derisa të tjerë janë përqafuar nën dritën e fishekzjarreve. “Lufta ka përfunduar, ne fituam”, ka thënë Nigel Farage, udhëheqës i fushatës për largim të Britanisë nga BE-ja. “Ky është një nga momentet më të rëndësishme në historinë moderne të shtetit tonë”, ka thënë mes tjerash ai.

Një mbështetëse e Brexitit ka festuar në orët e para të së shtunës para sheshit të Parlamentit. “Absolutisht, është gëzim dhe optimizëm”, ka thënë Emma Sandercock, shtetase britanike.

Liderët më të fuqishëm të BE-së, kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, e kanë konsideruar largimin e Britanisë si moment të trishtë dhe pikë kthese për Evropën.

BE-ja ka paralajmëruar se largimi do të jetë më i keq sesa qëndrimi brenda bllokut. Presidenti amerikan, Donald Trump për dallim nga liderët evropianë, ka mbështetur Brexitin. Në selinë e BE-së në Bruksel, flamuri britanik është larguar. Kundërshtarët thonë se Brexiti do të dobësojë perëndimin, dhe do të dëmtojë ekonominë.

Kryeministri britanik, Boris Johnson ka premtuar se do të nënshkruajë marrëveshje për tregti të lirë me BE-në, njëherësh bllokun më të madh tregtar në botë.

Por Brexit konsiderohet të ketë qenë gjithmonë më shumë sesa çështje e lidhur me Evropën. Referendumi i vitit 2016 ka shpërfaqur ndasitë e thella që ekzistojnë brenda vetë Mbretërisë së Bashkuar dhe ka ngritur debate për Britaninë moderne dhe imigrimin.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Paditet kryebashkiaku i Nju Jorkut/ Hetimi federal dhe dyshimet për financimin e fushatës

Globi

Paditet kryebashkiaku i Nju Jorkut/ Hetimi federal dhe dyshimet për financimin e fushatës

    Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Eric Adams është paditur për të paktën një akuzë penale dhe është vënë nën hetim federal. Adams do t'i dorëzohet autoriteteve në fillim të javës së ardhshme...

Kraja: Degradim i shtetit ligjor! Korrupsioni i Ramës dihet nga ndërkombëtarët, por ata shpeshherë e mbyllin një sy

Politikë

Kraja: Degradim i shtetit ligjor! Korrupsioni i Ramës dihet nga ndërkombëtarët, por ata shpeshherë e mbyllin një sy

    I ftuar në edicionin e pasdites në SYRI TV me moderatorin Edvin Parruca për të folur për shpërqëndrimin që po i bën Rama shqiptarëve me 'Shtetin Bektashi', mes skandaleve që...

Xhuljan Guçe: Qytetarët e Korçës nuk pranojnë më premtime “pe leshi”

Politikë

Xhuljan Guçe: Qytetarët e Korçës nuk pranojnë më premtime “pe leshi”

Nga Xhuljan Guçe: Në një deklaratë të fundit, drejtuesi i Partisë Socialiste në Korçë, z. Niko Peleshi, njoftoi se partia e tij synon të sigurojë 6 mandate në këtë qark, duke...