Koronavirusi prek zv.ministrin iranian të Shëndetësisë, Turqia karantinon 132 pasagjerë të një avioni nga Teherani

Tuesday, 25 February 2020 13:29

Zëvendësministri i shëndetësisë së Iranit ka testuar pozitiv pas testit që ka bërë ndaj koronavirusit, ka raportuar agjensia gjysmë zyrtare e lajmeve ILNA.

Iraj Harichi ka rezultuar i infektuar me këtë sëmundje, e cila njihet zyrtarish me termin si Covid-19, dhe është vendosur nën karantinë, tha një zëdhënës i ministrisë së shëndetësisë të Iranit në TV shtetëror.

Numri i vdekjeve nga sëmundja në Iran u rrit në 16 të martën, ndërsa i të prekurve ka shkuar në qindra.

Ndërkohë, të gjithë 132 pasagjerët dhe ekuipazhi në një aeroplan të Turkish Airlines nga Teherani duhet të karantinohen për 14 ditë dhe të testohen për infeksione të mundshme në një spital në Ankara, njoftoi ministri i shëndetësisë i Turqisë.

Turqia ka mbyllur tashmë kufijtë me Iranin nga frika e përhapjes së koronavirusit.

Më shumë se 80,000 njerëz janë testuar pozitivë për koronavirus në Kinë që kur shpërthimi filloi në fund të vitit të kaluar, me numrin e vdekjeve që të hënën shkoi në 2.663.

Në Europë, përveç Italisë ku derimë tani janë shënuar 7 viktima dhe më shumë se 200 të infektuar, këtë mesditë është shënuar dhe rasti i parë me person të infektuar në Kroaci.

Login to post comments