Trump merr vendimin tjetër për të luftuar koronavirusin. Aktivizon Gardën Kombëtare për…

Hënë, 23 Mars 2020 09:38

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të aktivizojë Gardën Kombëtare për të ndihmuar në ngritjen e stacioneve mjekësore dhe shpërndarjen e qindra tonelatave furnizime në tre shtetet e goditura më së keqi nga shpërthimi i koronavirusit: Kaliforni, Nju Jork dhe Uashington.

Në një konferencë për media nga Shtëpia e Bardhë, Trump tha se garda do të jetë në komandën e tre guvernatorëve, shtetet e të cilëve përbëjnë 58 për qind të rasteve me koronavirus në gjithë SHBA-në.

Shteti i Nju Jorkut ka numrin më të madh të të infektuarve me koronavirus: mbi 15,000.

Kryetari i qytetit të Nju Jorkut, Bill de Blasio, ka thënë se mungesat e furnizimeve mjekësore mund të dalin në pah brenda ditësh.

Disa guvernatorë, përfshirë atë të Nju Jorkut, Andrew Cuomo, i kanë kërkuar Shtëpisë së Bardhë që t’i kombinojë përpjekjet për sigurimin e furnizimeve mjekësore, duke thënë se shumica e udhëheqësve të 50 shteteve janë në garë kundër njëri-tjetrit për të blerë atë që është në dispozicion.

Në gjithë SHBA-në janë mbi 33,000 raste të konfirmuara të të infektuarve me koronavirus, ndërsa mbi 400 pacientë kanë humbur jetën. 

Login to post comments