Analistët e të dhënave në botë kanë parashikuar që Mbretëria e Bashkuar të bëhet vendi më i goditur nga pandemia e koronavirusit në Evropë, duke përbërë më shumë se 40% të vdekjeve totale në të gjithë kontinentin.
Instituti për Metrikat Shëndetësore dhe Vlerësimi (IHME) në Seattle parashikon 66,000 vdekje në Mbretërinë e Bashkuar nga Covid-19 deri në gusht, me një kulm prej gati 3,000 vdekje në ditë, raporton “The Guardian”.
Në Britani të Madhe numri i viktimave nga COVID-19 po rritet në mënyrë të ndjeshme, pasi çdo dy minuta humb jetën një shtetas.
Numri i viktimave në këtë vend ka arritur në 7.172 persona, ndërsa vetëm brenda 24 orëve kanë humbur jetën 936 persona dhe po konsiderohet si dita me numrin më të madh të vdekurve, që kur ka shpërthyer pandemia në këtë vend.
Të dhënat tregojnë se në Angli është regjistruar numri më i madh i të vdekurve me 6.483, e pasuar nga Skocia me 366, Uellsi me 245 dhe Irlanda e Veriut me 78. Megjithatë është konstatuar që vendi ku më së shumti po humbin jetën, është Birminghami.
Afro 1.4oo nga numri i përgjithshëm prej 61.242 rasteve të konfirmuara me COVID në Britani të Madhe kanë qenë në Birmingham, që i bie të jetë shifër shumë më e madhe sesa në Londër.