Presidenti amerikan Donald Trump tha të mërkurën se distancimi social dhe masat e tjera që synojnë ndalimin e përhapjes së koronavirusit kanë pasur rezultat.
Në konferencën e përditshme të Shtëpisë së Bardhë, Trump u tha gazetarëve se amerikanët po i afrohen "fazës përfundimtare" dhe se mund të shihet "dritë në fund të tunelit".
Ekspertët e shëndetit kanë sugjeruar distancimin social si një nga masat kryesore për të trajtuar pandeminë globale.
Totali i vdekjeve javore pritet të arrijë një nivel të ri në Shtetet e Bashkuara këtë javë.
Më shumë se 14,600 njerëz kanë vdekur nga virusi në SH.B.A.
Por Presidenti Trump kishte një ton optimizmi.
"Nëse çdo amerikan vazhdon t'i përmbahet rreptësisht udhëzimeve të distancës sociale, ne mund të mposhtim armikun e padukshëm dhe të shpëtojmë jetë të panumërta," tha presidenti.
Presidenti gjithashtu i kërkoi Kongresit të miratonte një paketë prej 250 miliardë dollarësh për të ndihmuar bizneset e vogla gjatë pandemisë.
Administrata Trump po kërkon fonde për të mbështetur një program të krijuar për të ndihmuar bizneset e vogla dhe për t'i mbajtur ata të mos pushojnë nga puna njerëzit në mes të shpërthimit të koronavirusit.
Presidenti vazhdon kritikat ndaj OBSH-së
Presidenti Donald Trump përsëriti pretendimet e tij se Shtetet e Bashkuara do të hetonin Organizatën Botërore të Shëndetit.
"Mendoj se ata duhet të marrin si duhet përparësitë e tyre," tha Presidenti Trump gjatë konferencës në Shtëpinë e Bardhë.
"Ata më kritikuan shumë fuqishëm kur thashë që do të pezullojmë fluturimet që vijnë nga Kina," tha ai për OBSH-në.
Të martën, Trump tha se Shtetet e Bashkuara "do të ndalonin" financimin e OBSH-së, dhe më pas ndryshoi duke thënë: "Ne do të shqyrtojmë dhënien fund të financimit".
Ai u përqëndrua veçanërisht në kritikën e pretenduar për ndalimin e udhëtimeve për dhe nga Kina.
Në përgjithësi, OBSH ka qenë e kujdesshme të mos kritikojë vendet për politikat e tyre kombëtare, dhe nuk ishte menjëherë e qartë se për çfarë kritike specifike po aludonte Presidenti Trump.
Vërejtjet e Trump-it erdhën pasi shumë qeveri, veçanërisht në Evropë, kanë filluar të lënë mënjanë, të injorojnë dhe kritikojnë rekomandimet e OBSH-së për çështje të politikës publike, si psh nëse kufizimet e udhëtimit garantojnë siguri ose nëse publiku duhet të veshë maska.
Sipas informacionit në faqen e internetit të agjencisë, Shtetet e Bashkuara kontribuan afro 900 milion dollarë në buxhetin e OBSH-së për vitin 2018-2019.
Kjo përfaqëson një të pestën e buxhetit të saj të përgjithshëm prej 4,4 miliardë dollarë për ato vite.