Për 77-vjeçarin Joe Biden, që pritet të marrë emërimin si kandidat i partisë demokrate për president, zgjedhja e një kandidati për nënpresident gjatë pandemisë së koronavirusit ka marrë një rëndësi edhe më të madhe. Zoti Biden kishte premtuar se do të emëronte një kandidate femër për nënpresidente për të kandiduar me të kundër Presidentit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, duke çuar në spekulime se ai mund të zgjidhte një senatore grua. Por, përvoja si ajo e guvernatorit të një shteti në trajtimin e krizës së shëndetit publik dhe asaj ekonomike tani mund të jetë më e rëndësishme sesa vetëm përvoja politike.
Ish-Presidenti Barack Obama vlerësoi të martën përvojën dhe empatinë e ish-nënpresidentit të tij Joe Biden, kur ai njoftoi mbështetjen për kandidatin e supozuar presidencial të partisë demokrate.
"Zgjedhja e Joe-it për postin e nënpresidentit ishte një nga vendimet më të mira që kam marrë ndonjëherë. Dhe ai u bë një mik im i ngushtë."
Me përhapjen e pandemisë vdekjeprurëse të koronavirusit që ka shkaktuar një mbyllje të aktivitetit ekonomik në Amerikë, Biden mund të duhet të zgjedhë për nënpresident një kandidat që ka përvojë me trajtimin e një krizeje, thonë disa analistë.
"Ai vërtetë duhet të mendojë për politikat që duhen për të ecur përpara. Kjo do të jetë një çështje e madhe e fushatës. Kështu që mbase duhet të zgjedh dikë që ka përvojë në trajtimin e krizave qoftë në nivel kombëtar, apo atë shtetëror", thotë Kyle Kepko, profesor i shkencave politike në Kolegjin Elizabethtown.
77-vjeçari Biden ka thënë se mosha e tij nënvizon gjithashtu nevojën për një kandidat për nënpresident të aftë për të marrë përsipër menjëherë detyrat e presidentit. Dhe ai është zotuar se do të emërojë një grua për këtë post.
"Asnjë vend nuk mund të ketë sukses ekonomik në shekullin e 21 duke vazhduar t'i mbajë gratë mbrapa. Ato janë gjysma e trurit dhe kapacitetit të vendit."
Njoftohet se në mesin e pretendëntëve kryesorë janë edhe ish rivalët e tij, senatorja nga Kalifornia, Kamala Harris, ajo nga Minesota, Amy Klobuchar dhe Elizabeth Warren nga Masaçusetsi.
Megjithatë, mbështetja nga senatorja Warren e propozimeve për kujdes shëndetësor falas dhe shkollim universitar falas përplasen me pikëpamjet e qendrës të zotit Bidenit.
Por, Harris duke qenë një grua me ngjyrë mund ta ndihmojë zotin Biden me bllokun e rëndësishëm të votuesve afrikano-amerikanë.
Disa aktivistë në komunitetin afrikano-amerikan gjithashtu po mbështesin fuqimisht për këtë rol ish-ligjvënësen e shtetit të Xhorxhas
Stacey Abrams, i cila humbi një garë të ngushtë për guvernator në vitin 2018, mund të ketë më pak përvojë, por mund të ndihmojë në rritjen e pjesëmarrjes së votuesve në zgjedhje.
"Forcat e Stejsit ekuilibron dobësinë e Bidenit, aftësia e saj për të frymëzuar, për të mobilizuar zonat elektorale ku ai është më i dobët, dhe historia e saj e pashembullt, e rritjes së pjesëmarrjes së votuesve afrikano-amerikanë janë të rëndësishme."
Gjithashtu, në nivelin shtetëror, Guvernatorja e Miçiganit Gretchen Whitmer ka ngritur profilin e saj ditët e fundit duke luftuar kërcënimin e koronavirusit në një shtet kyç, që demokratët duhet ta fitojnë. Një mundësi tjetër është guvernatorja e Nju Meksikos, Michelle Lujan Grisham, e cila mund të ndihmojë zotin Biden me komunitetin latin.
Zoti Biden për vendimin e tij ka të ngjarë të marrë parasysh kandidatët që do të shihen si të gatshëm për qeverisje, por që gjithashtu do të entuziazmojnë bazën e partisë demokrate.