Te dhenat e fundit/Europa me mbi 100 mijë viktima nga Covid-19.

Hënë, 20 Prill 2020 08:44

Bota po kalon një situatë të pazakontë, mes një pandemie që mbase nuk është e padëgjuar në histori, por me një përgjigje të paprecedent nga qeveritë e pjesës më të madhe të botës.spital corona

Ekspertët thonë se nëse nuk do të kishte bllokime të tilla siç janë ndërmarrë në shumë vende – qofshin autokrate apo demokratike, lindore apo perëndimore – situata do të ishte shumë më e rënduar dhe numri i të infektuarve dhe të vdekurve shumë më i lartë. Por edhe tani nuk është pak.

Sipas shifrave të regjistruara, numri i të infektuarve të konfirmuar në të gjithë botën i ka kaluar mbi 2,3 milionë njerëz, me pjesën më të madhe të viktimave në Europë dhe Shtetet e Bashkuara. Shumë qeveri, përfshirë edhe SHBA, janë kritikuar për reagimin e vonuar me masat kufizuese, për të cilat ekspertët më të shquar të shëndetësisë në botë thonë se kanë shpëtuar mjaft jetë, edhe pse hynë në fuqi vonë.

Nga të gjithë të infektuarit në botë, janë regjistruar mbi 613 mijë të shëruar, pjesa më e madhe e të cilëve të vetëshëruar nëpër shtëpi. Por janë edhe më shumë se 164 mijë të vdekur, një shifër tronditëse, e cila flitet se nuk i përfshin ende të gjithë viktimat nga koronavirusi i ri, pasi shumë njerëz që kanë vdekur jashtë spitaleve nuk janë testuar nëse kanë qenë viktimë e virusit dhe autoritetet shëndetësore kanë ngurruar t’i shënojnë si vdekje të Covid19.Italia coronavirus

Përveç faktit se shumë njerëz kanë humbur jetën ndërkohë që pandemia ishte ende “e padukshme” në sytë e zyrtarëve të shëndetësisë dhe OBSH-së dhe janë regjistruar si viktima të pneumonisë.

Numri i përgjithshëm i vdekjeve në vendet europiane, duke përjashtuar Rusinë, i ka kaluar 100,000 vetë. Në Europë, numrin më të madh të të infektuarve e ka Spanja, me afërsisht 196 mijë raste. Pas saj renditet Italia, me mbi 178 mijë të infektuar; Franca, me mbi 152 mijë të infektuar, Gjermania me mbi 144 mijë raste; Mbretëria e Bashkuar me mbi 120 mijë të infektuar dhe dhjetëra mijëra infeksione edhe në vendet e tjera të kontinentit.koronavirus pacient spital

Por nga numri i vdekshmërisë, ende e para në listën e zezë për Europën është Italia me 23,660 viktima, prej të cilëve 433 në 24 orët e buletinit të fundit. Më pas vjen Spanja me 20,453 viktima, përfshirë 410 në buletinin e së dielës. Edhe Franca ka një numër shumë të lartë vdekjesh, me një bilanc prej 19,718 viktimash; 395 së fundmi dhe Mbretëria e Bashkuar me 16,060 viktima, nga të cilat 596 në 24 orë.

Gjermania, e cila hyn në vendet me numrin më të lartë të infeksioneve të konfirmuara në botë, ka 4,547 të vdekur, një numër shumë më i ulët se vendet e tjera europiane, me 9 viktima të publikuara ditën e diel. Autoritetet thonë se diferenca e madhe e përqindjes së vdekshmërisë është për shkak se vendi ka testuar shumë më tepër njerëz dhe se ka një popullsi më të re. Në Europë, numër të lartë vdekshmërie dhe infeksionesh kanë edhe Belgjika, Holanda, Zvicra dhe Suedia.

Kjo e fundit ka pasur një strategji shumë më ndryshe nga vendet e tjera europiane, duke mos ndërmarrë masa drastike kufizimi, por tashmë po përballet me kritika të forta në vend, me një vdekshmëri shumë të lartë të të moshuarve. Shtetet e Bashkuara, nga ana tjetër, e nënvlerësuan fillimisht pandeminë, por me rritjen dramatike të numrit të infeksioneve në Nju Jork dhe më pas në të gjitha shtetet e tjera amerikane, Presidenti Donald Trump vendosi t’i dëgjojë ekspertët e mjekësisë që e këshillonin vazhdimisht të bllokonte jetën e përditshme për të evituar një katastrofë.

SHBA ka sot mbi 755 mijë të infektuar dhe 40,109 të vdekur. Kina, nga e cila nisi pandemia, është vënë në qendër të kritikave dhe kërkesës për hetime nga disa vende (përfshirë SHBA, Mbretëri e Bashkuar, Australi), pasi dyshohet se e ka fshehur me dashje pandeminë në fillimet e veta, para se të përhapej. Gjithashtu, akuzohet se nuk ka bërë raportim transparent të infeksioneve dhe të vdekjeve. Kina vazhdon të ketë vetëm 82,735 të infektuar, me 16 raste në 24 orë dhe 4,632 të vdekur të raportuar që nga nisja e pandemisë.

Login to post comments