Presidenti amerikan, Donald Trump ka urdhëruar fabrikat për përpunimin e mishit që të vazhdojnë punën, në mënyrë që të mbrohet zinxhiri i furnizimit me ushqim edhe në kohën e pandemisë me koronavirus, raporton sot BBC.
Trump ka përmendur një ligj të periudhës së Luftës Koreane për t’i dhënë të drejtë vendimit të ri, pavarësisht paralajmërimeve për tendosje të rrjetit të furnizimit.
Deri më tani, 3,300 punëtorë amerikanë të përpunimit të mishit janë prekur me koronavirus derisa 20 kanë vdekur.
Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar muajin e kaluar se emergjenca e krijuar është duke rrezikuar zinxhirët e furnizimit me ushqim.
Deri më tani 22 fabrika të përpunimit të mishit në Shtetet e Bashkuara janë mbyllur për shkak të pandemisë.
Aty përfshihen disa prej kompanive më të mëdha të prodhimit të mishit të pulës, derrit dhe viçit, sikurse Smithfield Foods, Tyson Foods, Cargill dhe JBS USA.
“Mbyllje të tilla kërcënojnë funksionimin e vazhdueshëm të zinxhirit kombëtar të furnizimit me mish dhe shpendë, duke minuar infrastrukturën kritike gjatë emergjencës kombëtare”, thuhet në urdhrin ekzekutiv të së martës në mbrëmje, duke u mbeshtetur në Aktin e Prodhimit të Mbrojtjes në 1950.
“Duke pasur parasysh vëllimin e lartë të mishit dhe shpendëve të përpunuar nga shumë objekte, çdo mbyllje e panevojshme mund të ketë shpejt një efekt të madh në zinxhirin e furnizimit të ushqimit”- theksohet me tej.
Shtetet e Bashkuara janë prekur më keq në botë nga koronavirusi i ri.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në këtë territor deri më tani janë infektuar mbi 1 milion persona me koronavirus, derisa mbi 50,000 kanë vdekur nga po ai.