Pekini mund të përballet me një valë armiqësie pas shpërthimit të koronavirusit që mund të çojë deri në konfrontim të armatosur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kështu paralajmëron një raport i brendshëm kinez, sipas gazetës britanike Daily Mail.
Në raport thuhet se ndjenjat anti-kineze në botë janë në nivelin më të lartë që prej goditjes në Sheshin Tiananmen në vitin 1989.
Si rezultat, Pekini do të përballet me një valë ndjenjash anti-Kinë, të udhëhequra nga SHBA.
Në raport thuhet se vendi duhet të përgatitet për skenarin më të keq, që përfshin një konfrontim të armatosur mes dy fuqive të mëdha.
Edhe pse përmbajtja e raportit mbetet sekret, burimet që kanë dijeni për të e kanë konfirmuar informacionin për agjencinë Reuters.
Tensionet mes dy vendeve janë shumë të larta në këto ditë të pandemisë. Drejtuesit e lartë të SHBA e kanë akuzuar hapur Kinën se ka fshehur informacione për virusin në mënyrë të qëllimshme. Po ashtu, SHBA dyshon se virusi ka rrjedhë nga një laborator.