Britania e Madhe dhe SHBA-ja filluan sot negociatat në kuadër të marrëveshjes ambicioze për tregtinë e lirë pas periudhës së tranzicionit post-Brexit që përfundon në fund vitit.
Ministrja britanike e ngarkuar me Tregtinë Ndërkombëtare, Liz Truss dhe përfaqësuesi amerikan i Tregtisë, Robert Lighthizer do të fillojnë me videokonferencë fazën e parë të negociatave, që parashikohet të zgjasin rreth dy javë. Çdo ekip disponon 100 negociatorë.
Kryeministri britanik, Boris Johnson, një mbështetës i zjarrtë i Brexit, ka vlerësuar prej kohësh mundësitë tregtare që do të hapen, sipas tij pas daljes nga Bashkimi Europian, veçanërisht me aleatin e tij amerikan.
Por opozita ka frikë se një marrëveshje e re e tregtisë së lirë me SHBA-në do të bëhej në kurriz të standardeve mjedisore dhe ushqimore, me ardhjen e pulave me klor ose viçit me hormonet amerikane në stallat britanike.
Shqetësime janë ngritur gjithashtu mbi privatizimin e mundshëm të pjesëve të shërbimit publik shëndetësor britanik, NHS, megjithë mohimet e përsëritura nga qeveria.
“Ne duam të arrijmë një marrëveshje ambicioze që hap mundësi të reja për bizneset tona, gjeneron më shumë investime dhe krijon vende pune më të mira për njerëzit në të gjithë vendin”, theksoi Liz Truss në një deklaratë.