Lloji i ri i koronavirusit përhapet më shpejt!/Shkenctarët:Virusi mund të vazhdojë të ndryshojë.

E mërkurë, 06 May 2020 08:19

Një studim i ri i udhëhequr nga qeveria amerikane ka zbuluar se një lloj të ri të koronavirusit po përhapet në të gjithë botën më shpejt sesa llojet e mëparshme.

Sipas studimit të udhëhequr nga shkencëtarët në Laboratorin Kombëtar të Los Alamosit, lloji i ri, një mutacion i koronavirusit origjinal, u zbulua tre muaj më parë në Evropë. Virusi arriti shpejt në brigjet lindore të Shteteve të Bashkuara përpara se të bëhej lloji më dominant në botë që nga mesi i marsit.
Shkencëtarët, të cilët përpiluan raportin thanë se gjetjet e tyre kanë nxitur një “nevojë urgjente për një paralajmërim të hershëm” për prodhuesit e vaksinave dhe ilaçeve për të gjetur zgjidhje që do të jenë efektive kundër llojit të ri të virusit.
Lloji i ri ka infektuar me shpejtësi shumë më tepër njerëz sesa versionet e mëparshme që u përhapën përtej qytetit të Wuhanit në Kinë, thuhet në raport. Brenda disa javësh, ai ishte i vetmi lloj në vendet e prekura nga koronavirusi.

Studimi gjeti se soji i ri ishte më infektiv, megjithëse ende nuk dihen arsyet. Versioni i ri nuk duket të jetë më vdekjeprurës se ai origjinal, megjithëse njerëzit e infektuar nga ky lloj duket se kanë nivele më të larta virale.

Studimi paralajmëron se nëse pandemia nuk dobësohet pas ngrohjes së motit, virusi mund të vazhdojë të ndryshojë ndërkohë që puna për prodhimin e një vaksine dhe gjetjen e trajtimeve të tjera mjekësore vazhdon.

Autorët e studimit thanë se efektshmëria e trajtimeve të reja mjekësore mund të jetë e kufizuar nëse komuniteti shkencor global nuk i identifikon më parë rreziqet që paraqet versioni i ri i koronavirusit.

Laboratori Kombëtar i Los Alamosit, me qendër në shtetin jug-perëndimor amerikan të Nju Meksikos, është pjesë e Departamentit amerikan të Energjisë./VOA

Login to post comments