“Recesion i përmasave historike”, del parashikim i parë zyrtar i BE për pasojat e pandemisë: Tronditje e paparë për Europën

E mërkurë, 06 May 2020 13:47

Bashkimi Evropian parashikon “recesion të përmasave historike këtë vit”, për shkak të ndikimit të pandemisë së koronavirusit.

Sipas parashikimit te parë zyrtar të dëmit nga pandemia thuhet se ekonomia e BE-së do të tkurret për 7.5 për qind këtë vit, përpara se të rritet për rreth 6 për qind vitin e ardhshëm.

Eurozona – grup prej 19 vendeve që përdorin monedhën euro – do të pësojë rënie ekonomike për 7.75 për qind, ndërsa do të rritet për 6.25 për qind më 2021.

“Evropa po përjeton një tronditje ekonomike, të paparë që nga Depresioni i Madh”, tha përmes një deklarate komisionari për Ekonomi i BE-së, Paolo Gentiloni.

Sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, koronavirusi ka prekur mbi 1.1 milion njerëz në Evropë dhe ka vrarë mbi 137,000.

Masat e izolimit që i kanë ndërmarrë vendet për të frenuar përhapjen e koronavirusit, kanë dëmtuar shpenzimet e konsumatorit, prodhimin industrial, investimet, tregtinë, flukset e kapitalit dhe zinxhirët e furnizimit.

Ato po ashtu kanë ndikuar vendet e punës.

Norma e papunësisë në BE parashihet të rritet nga 6.7 për qind sa ka qenë në vitin 2019, në 9 për qind këtë vit, ka thënë Komisioni Evropian. rel

Login to post comments