Shkencëtarët sinjalizojnë probleme serioze me testet për antitrupa: Nuk provojnë imunitet nga COVID-19

Saturday, 09 May 2020 09:25

Administrata federale e Shteteve të Bashkuara ka sinjalizuar probleme serioze me testet për antitrupa kundër koronavirusit. Sipas raporteve në treg aktualisht qarkullojnë mbi 150 teste dhe shumë prej tyre japin rezultate fallso.

Administrata njoftoi rregullore më strikte këtë javë për kompanitë që prodhojnë këto teste. Siç njofton kolegia Ardita Dunellari, ekspertët e shëndetit publik paralajmërojnë se testet e antitrupave nuk duhet të përdoren si garanci mbrojtëse nga koronavirusi.

Amerikanët duan të dinë nëse mund të rikthehen në aktivitetin normal pa rrezik nga koronavirusi. Testet për antitrupa ofronin premtimin se personat që rezultonin pozitivë, pra që e kishin kaluar sëmundjen ishin imunë ndaj virusit. Por ekspertët paralajmërojnë se shumë prej teksteve mund të jenë difektoze:

“Disa nga testet, sipas raportimeve, rezultojnë të sakta vetëm në 30% të rasteve. Në çdo sistem vlerësimi këto quhen teste të dështuara,” thotë Dr. Gigi Kwik Gronvall.

Dr. Gigi Kwik Gronvall është autorja titullare e një studimi të ri mbi testet për antitrupa. Ajo thotë se rendja për të gjetur zgjidhje për krizën dhe heqja e disa rregulloreve nga autoritetet federale ka lënë shteg për elementët spekulantë në treg. Deri tani autoritetet federale u lejonin kompanive të bënin vetë kontrollin e efikasitetit të testeve që prodhonin:

“Kur ke kërkesë aq të madhe, kur je në kushte tregu ku çdo gjë është e pranueshme, detyrimisht në treg do të futen edhe kompani të paskrupullta”.

Të hënën administrata amerikane vendosi rregulla të reja: tani kompanitë që prodhojnë teste të antitrupave duhet të kalojnë procesin e verifikimit nga Agjencia e Ilaçeve dhe Ushqimit. Disa ekspertë shqetësohen se kjo masë nuk është e mjaftueshme dhe se testet difektoze duhet të hiqen nga tregu plotësisht.

Zyrtarë të shëndetit publik kanë paralajmëruar prej kohësh për rrezikun që shoqërohet me teste që japin rezulate fallso:

Testet për antitrupa nuk duhet të përdoren për të diagnostikuar apo për të përcaktuar statusin e imunitetit ndaj COVID-19. Këto teste mund të japin rezultate pozitive fallso, apo negative fallso duke bërë që individi të ndryshojë sjellje duke hequr dorë nga distancimi fizik, duke mos përdorur maska apo doreza,” paralajmëronte në prill faqja e Departamentit të Shëndetit për Nju Jorkun.

Sipas specialistëve, nga vetë specifikat e analizave për antitrupa, këto teste nuk kanë një saktësi perfekte. Në bazë të standardit zyrtar, testet duhet të zbulojnë praninë e antitrupave në 90% të rasteve dhe të konfirmojnë se nuk ka antitrupa në 95% të rasteve. Megjithëse përqindja e rezultateve të pasakta është e vogël, rreziku për individin e testuar mbetet i madh:

“Mundësia që individi të marrë pas analizave përgjigjen e gabuar se ka antitrupa do të vazhdojë të ekzistojë edhe me testet që përmbushin standardet, sepse testet nuk kanë garanci 100%. Pra individi do të mendojë se ka imunitet, kur në fakt nuk është imun”.

Ekspertët këshillojnë që individët të mos udhëhiqen nga testet e antitrupave si garanci për imunitet. Edhe kur rezultati konfirmon me saktësi prezencën e antitrupave, kjo nuk garanton që individi i testuar është imun ndaj sëmundjes, pasi shkenca nuk e ka studiuar ende efektin e antitrupave ndaj koronavirusit:

“Këto teste nuk masin sasinë e antitrupave, nuk masin sa kohë zgjasin antitrupat, nuk masin çfarë aftësie kanë antitrupat për të luftuar virusin, por thjesht konfirmojnë praninë e antitrupave. Testet shërbejnë për shkencën që të dijë sa ka penetruar sëmundja në komunitet. Por askush nuk duhet të flerë mendjen se është imun thjesht se ka antitrupa”.

Imuniteti i vërtetë do të realizohet përmes vaksinës. Dr. Deborah Birx, koordinatore e grupit të Shtëpisë së Bardhë kundër koronavirusit, foli me optimizëm se deri në janar mund të jetë identifikuar “së paku në letër”, siç u shpreh ajo, një vaksinë kundër koronavirusit. Dr. Gronvall e quan këtë një parashikim tepër optimist:

“Nuk parashikoj që do të kesh vaksinë te farmacia e lagjes në janar. Do të shpresoja që në janar vaksina të kalonte në procesin e prodhimit; në realitet mendoj se prodhimi do të jetë i mundur më vonë. Faktikisht çdo gjë në përgjigje të këtij virusi ka shkuar më shpejt se në pandemi të mëparshme,” thotë Dr. Gronvall, duke shtuar se ia lejon vetes të ushqejë një optimizëm të matur si rrjedhojë.

Për sa u përket analizave për të parë nëse personi është i infektuar në atë moment me koronavirus, këto teste janë tani shumë më të sakta, megjithë problemet e hasura në fillim të epidemisë. Por, Dr. Gronvall thekson se bizneset nuk duhet të ulin kontrollin dhe mbrojtjen kur të rihapin aktivitetin:

“Masat e distancimit fizik, organizimi i punës me turne, vënia e maskave e strategji të tjera janë ato që lejojnë kthimin në punë pa rrezik. Nuk duhet t’i varim shpresat tek një test që të na zgjidhë të gjithë problemet”.

Kjo është një situatë mjaft komplekse e me shumë të panjohura dhe për fat të keq, thotë shkencëtarja, nuk ofron mundësi për zgjidhje të lehta./ VOA

Login to post comments

Lajmet e fundit

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

Globi

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

  Miliarderi Elon Musk reagoi pasi një prokuror i Sorosit deklaroi se do ngrejë padi ndaj tij, pasi e akuzon se po mbledh vota për republikanët në SHBA. Prokurori Larry Krasner e akuzon Musk...

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

Politikë

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

  Deputeti demokrat, Edi Paloka, deklaroi në mbyllje të protesës së ligjvënësve demokratë përpara Parlamentit Europian në Strasburg se kanë marrë mbështetjen e Partive Popullore Europiane. “Meqë grupi që është nëpër takime...

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

Politikë

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

  Deputetë të opozitës po protestojnë gjatë ditës së sotme para selisë së Parlamentit Evropian. Sipas opozitës shqiptare, Rama synon “asgjësimin e opozitës përmes burgosjeve politike, duke rikthyer Shqipërinë 34 vjet më pas”. Deputeti...