Presidenti i Austrisë Alexander Van der Bellen ka kërkuar falje publike, pasi ai dhe bashkëshortja e tij thyen rregullat e rekomanduara si masë ndaluese e koronavirusit. Ai ka deklaruar se do të marrë përsipër të gjitha gjobat nëse i vihen pronarit shqiptar të restorantit “Sole” në Vjenë.
Austria ka lejuar hapjen e restoranteve deri në orën 23.00 të mbrëmjes, por presidenti Van der Bellen dhe bashkëshortja e tij, Doris Schmidaue, janë parë nga policia austriake teksa pinin deri pas mesnatës në restorantin “Sole” të pronarit shqiptar, Aki Nuredini, raporton Albinfo Austria.
Sipas mediave austriake, restoranti në atë kohë ishte i mbyllur, por ata kishin vazhduar edhe për më shumë se një orë të qëndrojnë të ulur në tarracën e restorantit.
“E humbëm kohën duke biseduar dhe fatkeqësisht e kaluam orarin e lejuar”, kishte shkruar ai në një postim në rrjetet sociale. “Më vjen keq, ishte një gabim”, shpreh keqardhje presidenti Van der Bellen.
Sipas rregullores në Austri, nëse ndonjë restorant gjendet i hapur pas orës 23.00, gjoba do të jetë afër 30 mijë euro. Për këtë presidenti austriak ka theksuar se nëse pronarit të restorantit do t’i vihet ndonjë gjobë, është i gatshëm të gjitha t’ i marrë përsipër.
“Nëse restoranti do të marrë ndonjë gjobë, unë do të qëndroj prapa kësaj dhe do të marr përgjegjësitë e mia”, ka shkruar presidenti Van der Bellen.
Restoranti “Sole” është pronë e gastronomit të njohur shqiptar Aki Nuredini, i cili këtë restorant e ka të hapur që nga viti 1983 dhe gjendet në një nga rrugët më të frekuentuara të Vjenës. / Albinfo.ch