Nga VOA-
Nga Afrika në Azi, nga Evropa në Amerikë, objektet fetare, qendrat tregëtare, restorantet dhe kufijtë shtetërorë, po rihapen gradualisht pas muajsh izolimi për shkak të pandemisë së koronavirusit. Por siç njofton korrespondentja e Zëri të Amerikës, Mariama Diallo, virusi vazhdon të përbëjë shqetësim për shunë njerëz, pasi nuk është zhdukur ende.
Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo mori metronë për në qendër të Manhatanit këtë javë, para se të mbante konferencën e përditshme për shtyp për koronavirusin.
Ishte një pikë kthese për qytetin amerikan e goditur më rëndë nga virusi.
“Nju Jork u rikthye”, tha ai.
Por ai u kërkoi njujorkezëve të tregohen të zgjuar dhe të vazhdojnë të përdorin dizinfektues dhe maska. Ai tërhoqi vëmendjen se vetëm një vaksinë nuk do të jetë e mjaftueshme.
“Ne mund ta llogarisim përhapjen e virusit. Dhe përsa kohë ta kontrollojmë, mund të funksionojmë”, tha ai.
Në Indonezi, zyrat, restorantet dhe dyqanet u hapën pas dy muajsh izolim, vetëm me 50 për qind të kapacitetit ndërsa rastet vazhdojnë të shtohen.
Dhe në pjesë të Indisë, objektet fetare, qendrat tregëtare, restorantet dhe kufijtë shtetërorë, po rihapen gradualisht, duke lehtësuar izolimin 10 javor të Indisë, megjithëse vendi vazhdon të raportojë rritjen e rasteve.
Drejtori i një qendre tregëtare, Arjun Gehlot, nuk frikësohet nga rritja e rasteve. Ai thotë se industria e shitjeve po bën të gjitha përpjekjet të rimëkëmbet.
“Mendoj se masat që po marrim, duhet t’i qetësojnë klientët, pasi t’i shohin ato”, thotë ai.
Në Meksikë, shumë banorë thonë se janë konfuzë nga mesazhet e përziera që po marrin nga autoritetet.
“Për fat të keq, shohim lajmet se vdekjet dhe virusi vazhdojnë të përhapen, por po na thonë që po i heqin masat e emergjencës”, thotë Rosa Colon.
Bizneset në kryeqytetin Meksiko janë rihapur gjatë dy javëve të kaluara dhe presidenti i vendit, Andres Manuel Lopez Obrador ditët e fundit bëri një vizitë në Meksikën jugore.
Në Spanjë, një nga vendet me rastet më të shumta me COVID-19, bizneset kanë filluar të rihapen gradualisht.
“Për momentin, po veprojmë me kujdes dhe qetësi, duke u përshtatur me situatën e re”, thotë Juan Pablo Iniguez, Menaxher i një kafeneje.
Ndërsa në Afrikë pas një mbylljeje mbi dymujore, industria e turizmit po bën përpjekje të rifillojë në Tunisi. Qeveria ka lejuar rihapjen e hoteleve, nën masa të rrepta sigurie. Pronarja e hotelit, Wassila Slim thotë se ka shpresa.
“Shpresojmë që të kemi klientë nga shumë vende, që të mund të rifillojmë siç duhet”, thotë ajo.
Por të tjerë thonë se janë të shqetësuar se disa turistë do të vijnë nga vende të prekura rëndë nga koronavirusi, duke shtuar rrezikun për qytetarët e tyre.