Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar përpara mbështetësve të tij se iu kishte kërkuar zyrtarëve në SHBA që të ngadalësojnë testimet për Covid-19.
Trump tha se Shtetet e Bashkuara tani kishin testuar 25 milion njerëz, shumë më tepër se vendet e tjera. Ai shtoi se koronavirusin mund ta quajë Kong Flu, një virus që nisi në Kinë më 1968-1969 dhe vrau më shumë se 4 milionë njerëz në glob.
“Mund ta quaj një virus kinez, një Kong Flu. Kur bëhen testime masive, normalisht do të gjenden më shumë njerëz që janë të infektuar me koronavirus. Prandaj, iu thashë njerëzve të mi që të ngadalësojnë testimet. Duhen ngadalësuar testet”, tha Trump në një tubim, ku shumë persona nuk mbanin as maskë ndaj Covid-19.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se Trump ishte duke bërë shaka në thirrjen e tij për një ngadalësim të testimit. “Presidenti pa dyshim që po tallej. Ne po udhëheqim botën për nga numri i testeve që kemi kryer, plot 25 milionë të tilla”, tha zyrtari amerikan.
Trump tha se veprimet e tij në bllokimin e udhëtarëve nga Kina dhe Evropa kishin ndihmuar në shpëtimin e “qindra mijëra jetëve”. Donald Trump deklaroi se lajmet false nuk i kanë dhënë kurajo që të bëhej punë fenomenale në luftën ndaj virusit.
Disa shtete amerikane po raportojnë rritje të konsiderueshme të personave të infektuar me koronavirus, kryesisht në Jug dhe Perëndim. Më shumë se 2.23 milionë njerëz janë të infektuar zyrtarisht me koronavirus në Amerikë.