Agjencia Europiane e Mjekësisë (EMA) ka rekomanduar që ilaçi anti-viral Remdesivir të autorizohet për përdorim në trajtimin e pacientëve me coronavirus në Bashkimin Europian.
“Remdesivir është i pari ilaç i COVID-19 që rekomandohet për autorizim në BE,” tha agjencia në një deklaratë.
Komiteti i EMA tha se do të testohej tek të rriturit dhe tek adoleshentët 12 vjeç e sipër me pneumoni, të cilët kanë nevojë për oksigjen.
Remdesivir është rekomanduar gjithashtu nga presidenti amerikan Donald Trump dhe të tjerë zyrtarë të shëndetësisë si një ndër ilaçeve më premtues për të luftuar COVID-19.
Një studim tregoi se pacientët me COVID-19, të trajtuar me remdesivir janë shëruar për 11 ditë në krahasim me pacientët e tjerë të trajtuar me një ilaç neutral, të cilëve u është dashur 15 ditë.
Kjo do të thotë se pacientët e trajtuar me këtë ilaç janë shëruar 31 për qind më shpejt se pacientët e tjerë të trajtuar me një ilaç neutral.
Studimi, sponsorizuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit të SHBA, nisi në shkurt dhe përfshiu 1,063 pacientë në SHBA, Europë dhe Azi.
Remdesivir pengon një enzimë që ndihmon kopjimin e viruseve RNA (Acidit ribnukleik) dhe ka qenë e suksesshme kundër coronavirusit në studime laboratorike.
Fillimisht është përdorur për të trajtuar Ebolën gjatë epidemisë në Afrikën perëndimore.