Pandemia e koronavirusit ka shënuar një rekord të ri: 12 milionë të infektuar gjithsej në shkallë globale, sipas statistikave të Universitetit Johns Hopkins.covid
SHBA kryesojnë botën me mbi 3,054,695 infeksione, ose një të katërtën e rasteve globale, përfshirë më shumë se 60 mijë raste të reja të mërkurën. Kjo ishte shifra më e madhe e rasteve të reja që kur filloi pandemia.
Të paktën pesë shtete amerikane – Kalifornia, Teksasi, Tenesi, Virxhinia Perëndimore dhe Jutah shënuan numra rekord të mërkurën. Zyrtarët e shëndetësisë kanë paralajmëruar se spitalet në disa shtete janë pranë kapacitetit maksimal.
SHBA po ashtu kryeson me numrin e vdekjeve. 132,500 viktima në SHBA përfaqësojnë afro 1/4 e 550,000 viktimave në shkallë globale.
Ndërkaq, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka krijuar një komision të pavarur për të analizuar reagimin ndaj pandemisë. Shefi i OBSH tha se komisioni do t’i japë mundësi botës “të kuptojë të vërtetën për rrjedhën e ngjarjeve dhe zgjidhjet për të krijuar një të ardhme më të mirë për njerëzimin”.
Njoftimi i shefit të OBSH-së pasoi kritikat e Presidentit Trump ndaj organizatës ndërkombëtare për reagimin e saj ndaj pandemisë duke deklaruar të martën tërheqjen zyrtare të SHBA nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Ky hap u kritikua nga aktivistë të shëndetit publik dhe kundërshtarë të presidentit.
Në Australi, pesë milionë banorë në qytetin më të madh të vendit, Melburn, filluan një periudhë izolimi gjashtë-javësh si rezultat i ritmeve alarmuese të përhapjes së infeksionit
Banorët janë urdhëruar të qëndrojnë në banesa, përveçse në rastet kur duhet të shkojnë në punë, shkollë, në dyqane ushqimesh apo te mjeku. Masat u morën disa ditë pasi zyrtarët në shtetet në kufi me Viktorian dhe Nju Sauth Uejllsin bllokuan lëvizjet nga Melburni pasi të hënën u raportuan 127 infeksione të reja.
Në Japoni, kanali i transmetimeve publike, NHK njoftoi 224 raste të reja në Tokio të enjten, një shifër rekord për kryeqytetin e vendit. VOA