E përditshmja prestigjioze britanike “The Guardian” e ka përshkruar Recep Tayyip Erdogan si diktator që vetëm emrin nuk e ka të tillë, pas vendimit të tij për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Kreu i shtetit turk, ka pak mundësi që t’i humbasë këto zgjedhje, të cilat do ta bëjnë më të fuqishëm se Ataturkun.
Në këtë aspekt Erdogani, shkruan “The Guardian”, nuk ndryshon nga Vladimir Putini i Rusisë dhe Abdel Fatah al-Sisi i Egjiptit. Ideja e tyre e përbashkët e demokracisë mund të përmblidhet në këtë shprehje të thjeshtë: “ju votoni, unë fitoj”.
Një ditë më parë, presidenti turk deklaroi se se zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare do të mbahen më shumë se një vit përpara afatit, me qëllim të përshpejtohet kalimi në një presidencë me fuqi ekzekutive.
Një lëvizje të tillë, ai e arsyetoi me përballjen e sfidave të shumta që i shtrohen vendit. Zgjedhjet do të zhvillohen në 24 qershor të këtij viti dhe jo në nëntor 2019.
“Edhe pse presidenti dhe qeveria po punojnë në unitet, sëmundjet e sistemit të vjetër na shpërfaqen në çdo hap që bëjmë”, tha Erdogani në një fjalim televiziv.