Ish-presidenti Donald Trump paralajmëroi se ofensiva e Ukrainës në Rusi mund të nisë “Luftën e Tretë Botërore”, në atë që gazeta britanike Metro e ka vlerësuar si përpjekjen më të fundit të republikanit për të ndalur rritjen e mbështetjes për Kamala Harris.
Trump gjatë fjalimeve në një konferencë të Shoqatës së Gardës Kombëtare në Detroit dukej se kundërshtoi shtytjen e fundit të Ukrainës në Rusinë perëndimore, sipas të njëjtës media. “Shikoni se çfarë po ndodh në Ukrainë. Ata po hyjnë në Rusi. Do të keni Luftën e Tretë Botërore”, tha ish-presidenti i SHBA-së.
Kandidati republikan fajësoi gjithashtu administratën Biden-Harris për vazhdimin e mbështetjes së Ukrainës dhe mungesë të furnizimit me municion të ushtrisë amerikane.
Trump dukej se i referohej një raporti që zbuloi se SHBA do të ishte “pa armë” brenda tri deri në katër javë nëse përfshihej në një luftë me Kinën.
Sulmi i fundit i Trump ndaj Harris dhe Biden erdhi ndërsa sondazhi i Universitetit Fairleigh Dickinson i publikuar pak ditë më parë tregoi se demokratja ishte shtatë pikë përpara rivalit republikan.
Ndërkohë, një sondazh i Echelon Insights tregoi se Trump kishte një avantazh prej 49% deri në 48% ndaj Harris pasi Robert F Kennedy Jr pezulloi fushatën e tij të pavarur dhe i dha mbështetjen e tij Trumpit javën e kaluar.