Sekretari i ardhshëm i Shtetit në SHBA, Marco Rubio, ka ngritur shqetësimin se administrata e Joe Biden po i përdor sanksionet dhe shpalljet non-grata për të goditur të djathtët nëpër botë.
Letra në fjalë i referohet rastit të ish-presidentit të Guatemalës, Alejandro Eduardo Giammattei Falla, i cili ishte shpallur non-grata nga Departamenti i Shtetit në janar të vitit 2022.
Letra e senatorëve thekson se shpallja e non-gratave si një armë politike është bërë një sjellje shqetësuese që nga janari i vitit 2021. Kujtojmë se pas kësaj periudhe u sanksionua edhe lideri i opozitës shqiptare, Sali Berisha.
Në letër thuhet se po sanksionohen pikërisht konservatorët që nuk kanë pushtet, ndërkohë që po lejohen super-të korruptuarit e majtë në pushtet.
Por Rubio ka shkuar edhe më larg në rastin e Guatemalës.
Në këtë vend është ngritur një prokurori e posaçme për të luftuar korrupsionin.
Në vitin 2018, senatori Rubio vendosi të pezullojë ndihmën amerikane për prokurorinë e posaçme të këtij vendi, e njohur me akronimin CICIG (Komisioni Ndërkombëtar kundër Pandëshkueshmërisë në Guatemala).
Bëhej fjalë për 6 milionë dollarë të taksapaguesve amerikanë për këtë prokurori të posaçme.
Senatori deklaroi se po pezullon ndihmën për shkak se prokuroria e posaçme është nën ndikimin e Kremlinit. Ai i referohej konkretisht rastit të Igor Bitkov dhe familjes së tij.
Ata u arratisën pas presioneve të Vladimir Putinit dhe bankës së tij dhe u vendosën në Guatemala.
Por prokuroria e posaçme e Guatemalës nisi një hetim ndaj tij dhe familjes, me akuzën se kanë përdorur pasaporta të falsifikuara për t’u larguar nga vendi. Në përfundim Igor Bitkov u dënua me 19 vite burg, kurse gruaja dhe vajza me nga 14 vite.
Pas këtij skandali, një komision i rëndësishëm në Kongresin amerikan mbajti një seancë dëgjimore. Ky do të ishte fillimi i fundit për prokurorinë e posaçme në Guatemala.