Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të dërgojnë terroristë të dyshuar të kapur në fushat e betejës në objektin e tyre të paraburgimit në Gjirin Guantanamo, në Kubë, për aq kohë sa ata paraqesin një "kërcënim të vazhdueshëm, e të madh" për vendin.
Të mërkurën, zyrtarët e Pentagonit dërguan udhëzimin e përditësuar në Shtëpinë e Bardhë, duke mbështetur vendimin e Presidentit Donald Trump për të ndryshuar kursin e administratës Obama dhe për të mbajtur të hapur burgun ushtarak amerikan.
I burgosuri i parë i larguar nga qendra e paraburgimit në Gjirin e Guantanamos, që nga momenti kur zoti Trump mori detyrën, është kthyer në Arabinë Saudite për të kryer pjesën e mbetur të një dënimi prej 13 vitesh.
Ahmed Mohammed al-Darbi pranoi se ishte fajtor para një gjykate ushtarake, në bazën amerikane në Kubë në vitin 2014, për akuzat lidhur me një sulm të al-Kaidës ndaj një cisterne franceze të naftës.
Al-Darbi pritet të kryejë pjesën tjetër të dënimit, rreth nëntë vjet, në një program rehabilitimi saudit, si pjesë e një marrëveshjeje në rastet e pranimit të fajësisë, që përfshin dhënien e dëshmive të gjera kundër të tjerëve që mbahen në Guantanamo.