Ekonomia e Japonisë është tkurrur më shumë se ç’pritej në fillim të vitit, pas performancës më të fortë më dekada, duke sjellë lajme negative për Qeverinë që po përpiqet të nxisë nivelin e çmimeve.
Ekonomia e tretë më e madhe në botë u tkurr me 0.6% me bazë vjetore, që përbën një rënie më të madhe se vlerësimet e analistëve prej 0.2%.
Kjo tkurrje, që u nxit nga rënia e investimeve, konsumit dhe rritjes së ngadaltë të eksporteve, vjen në një kohë që kompanitë japoneze kanë treguar shqetësim mbi efektet e politikave proteksioniste të Donlad Trump.
Të dhënat vënë gjithashtu në dukje mungesën e mbrojtjes nga Banka Qendrore ndaj një goditjeje ekonomike apo financiare, pas 5 vitesh të stimujve gjigantë monetarë, që e kanë lënë me më pak mjete në dispozicion.
Kërkesa e jashtme, apo tregtia neto, i shtoi vetëm 0.1% rritjes së PBB. Eksportet e vendit po humbasin vrull, pasi u rritën me vetëm 0.6% në tremujorin e parë, krahasuar me 2.2% rritje në fund të vitit të kaluar.
Ngadalësimi i eksporteve erdhi prej dërgesave më të ulëta të pjesëve për aparat celularë dhe pajisjeve për fabrikat gjatë tremujorit.
Kjo përbën një shqetësim për prodhuesit japonezë, për shkak se këto makineri dhe pjesë elektronike dërgohen në Kinë, ku përdoren për të krijuar mallra të eksportit.
Megjithatë, sipas analistëve, ekonomia e Japonisë nuk po shkon drejt recesionit dhe tkurrja është e përkohshme.
Të dhënat sollën përfundimin e ekspansionit ekonomik për 8 tremujorë radhazi, që ishte periudha më e gjatë e rritjes që prej vitit 1986.