Një ngjarje e rëndë u regjistrua para tri javësh në Grenchen të Zvicrës, ku një baba me të bijën e tij u rrëzuan nga kati i katërt i një godine banimi.
Prokuroria është duke hetuar ndaj prindit për veprën penale “përpjekje për vrasje”, pasi dyshohet se ai është hedhur me qëllim nga dritarja.
Ngjarja ka tronditur banorët e lagjes, të cilët janë zgjuar në mëngjes nga klithmat e dëshpëruara të një gruaje. Sipas policisë Kantonale të Solothurnit, pak pas orës 07.00 kanë ardhur informata se një person dhe një fëmijë gjenden të shtrirë përtoke.
Policia dhe ekipet e shpëtimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë hasur në dy persona të lënduar rëndë, shkruajnë mediat zvicerane. Ata janë dërguar menjëherë në spitalin e Bernës me helikopter.
Gjithashtudyshohet se rrëzimit i ka paraprirë një zënkë e ashpër. Policia zvicerane është duke hetuar në të gjitha drejtimet, shkruajnë mediat vendore, përcjell Albinfo.ch. Aktualisht, Prokuroria e Solothurnit, rrëzimin e ka vlerësuar si përpjekje për vrasje.
Sipas asaj që raporton Televizioni “Tele M1”, ndaj babait dyzetvjeçar kanë filluar hetimet. Dyshohet se së bashku me të bijën ka dashur të vetëvritet. Në rast të ndonjë dënimi, atij i kërcënohen disa vite burg.
Sipas banorëve, javën e kaluar policia i ka kërkuar çelsat e banesës, ku ka qëndruar rreth dy orë. Më pas, brava e derës është ndërruar dhe ajo tani jepet me qera nga 01 korriku i këtij viti. Pas kësaj ngjarje të rëndë, nëna nuk është parë më nga askush