“Në qershor na duhet të shohim progres dhe ky progres do të vlerësohet nga Komisioni Europian. Afati përfundimtar për marrëveshjen e largimit është tetori, por nëse nuk kemi progres në qershor, duhet të pyesin nëse do të kemi vërtet ndonjë marrëveshje largimi”, deklaroi kryeministri irlandez , Leo Varadkar, në lidhje me marrveshjen “Brexit”.
Leo Varadkar tha se Britania mund të dalë nga BE-ja pa një marrëveshje, nëse brenda qeverisë britanike vazhdojnë zënkat edhe gjatë javëve të ardhshme.
Bisedimet për “Brexit”-in po humbasin rrugën, ndërsa Theresa May nuk ka mundur të ofrojë një zgjidhje për të shmangur kufirin fizik mes Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës.
Kryeministri irlandez tha se, samiti i ardhshëm i Këshillit të Europës, i planifikuar për muajin e ardhshëm, do të jetë thelbësor për bisedimet, pavarësisht përpjekjeve nga Sekretari për “Brexit”-in, David Davis dhe të tjerëve për të fshehur afatin përfundimtar.