Një qytet në Estoni zgjodhi gjethen e kanabisit si simbolin e tij të ri, pas një referendumi të zhvilluar “online”.
Zgjedhja duket mjaft e gjetur, pasi Kanepi, një qytet dhe rajon në juglindje të vendit, e merr emrin nga fjala estoneze për marijuanën, që është pikërisht “kanep”.
Banorët e zonës kanë kultivuar tradicionalisht marijuanën dhe kërpin për mallra si veshje, vaj apo litarë.
Megjithatë, referendumi që u zhvillua në janar ka ngjallur mjaft debate, edhe për vet faktin se zona në fjalë ka më pak se 5.000 banorë, por në votim morën pjesë mbi 15 mijë vetë.
Më shumë se 12 mijë prej votave ishin për adoptimin e gjethes së kanabisit si simbol të qytetit.
Autoritetet lokale thanë se vendimi ishte rezultat i një procesi mjaft demokratik, e vullneti popullor duhet respektuar.
Megjithatë, ndarja e thellë për simbolin e ri të qytetit u pa edhe gjatë votës në Këshillin Lokal, ku gjethja e marijuanës u miratua me vetëm një votë më shumë, 9 pro dhe 8 kundër.
Nevoja për një flamur të ri lindi korrikun e shkuar, pasi disa komuna të veçanta u bashkuan në Komunën më të madhe të Kanepit. Zotërimi i sasive të vogla të marijuanës për përdorim personal në Estoni është krim i ndëshkueshëm më gjobë.