Të printosh duke përdorur audion. Është një teknikë inovative e realizuar nga Universiteti Harvard, që shfrytëzon valët zanore për të prodhuar pikat e lëngshme, e pamundur deri tani të printoheshin, që mund të ketë një ndikim të menjëhershëm tek industria farmaceutike si edhe në sektorë të tjerë industrialë.
Procesi është provuar tashmë me materiale të ndryshme, nga mjalti tek qelizat staminale. Teknika e përshkruar në revistën “Science Advances” mund të hapë rrugën për prodhime të reja biofarmaceutike e kozmetike, por edhe ushqim.
“Duke shfrytëzuar shtytjen akustike, kemi zhvilluar teknologjinë që lejon printimin e materialit me një pikë sipas kërkesës”, tregon Jennifer Lewis, koordinatore e studimit. Pikat e lëngshme prej kohësh përdoren në shumë fusha, që shkojnë nga printimi në letër deri në realizimin e mikrokapsulave për produktet farmaceutike, por shumë lëngje interesante janë të vështira të përdoren për printim për shkak të nivelit të lartë të viskozitetit të tyre.
“Objektivi ynë ishte të eleminohet viskoziteti duke zhvilluar një sistem printimi të pavarur nga kjo pengesë”, thotë Daniele Foresti, autor i parë i studimit. Për të bërë këtë, kërkuesit kanë përdorur valët akustike. Kanë ndërtuar një zë akustik që mund të gjenerojë një fushë akustike shumë të përqendruar, që siguron një fuqi shtytëse 100 herë më të lartë se forca normale e gravitetit në printer.
Kjo forcë e kontrollueshme tërheq çdo pikë të tepërt. Sa më e madhe gjerësia e valëve zanore, aq më të vogla janë pikat, pavarësisht llojit të lëngut. “Ideja është të sigurohet një fushë akustike që shmang pikat e vogla të tepërta”, thotë Foresti.