Dikur emigrant në Greqi, por Marko Caka arriti të fusë këmbët në studiot e televizioneve kombëtare atje.
Madje, si gazetar ai u përpoq të promovonte edhe këngëtarët shqiptarë.
Por me sa duket, sytë i kishte nga perëndimi. Dhe rasti i tij është prova e gjallë kur thonë, kurrë nuk është vonë për t’ia nisur nga zero në Hollywood.
Brenda 3 viteve, 47-vjeçari ka mundur “të nxjerrë kokën” në disa prej realizimeve të suksesshme të industrisë më të madhe kinematografike në botë. Nga dramat e denja për Oscar të regjisorëve që kanë bërë histori, tek skenat e përplasjeve spektakolare mes gangsterëve më të dashur të ekranit, Marko nga Shkodra e ka eksploruar Hollywood-in në të gjitha dimensionet.
Por, jo Tiranën. Shqiptarin e plot 85 produksioneve kinematografike e televizive, e takojmë në qendër të kryeqytetit, ku shkel për herë të parë pas shumë kohësh.
Me përvojën e gazetarit mbi supe, dhe këtë herë të personit që ka prekur sheshxhirimet miliona dollarëshe, Marko nuk kursehet as për detajet më specifike të prapaskenës.
“Kam qenë në dy qytetet e mëdha ku u zhvilluan xhirimet e filmit “Fast and Furious”. Ishin realizime pothuajse të gjitha të vërteta. Jam çuditur se si një produksion kishte vënë makina super të shtrenjta të cilat shkatërroheshin dhe skenat përsëriteshin. Kostot ditore mund të shkonin rreth 2 milionë Dollarë në ditë vetëm për makina. Unë kam marë pjesë tek filmi “The Roc” dhe kam qenë në rolin e një prej 5 policëve të burgut dhe “luftonim” me ta”, tha Caka.
Por, a janë po kaq të frikshëm sa duken muskulozët “The Roc” e me shokë të Hollywood-it? Kot nuk thonë: Librin, mos e gjyko nga kopertina.
“Kam përjetuar xhirimet shumëorëshe bashkë me ta dhe janë sjellë shumë mirë me gjithë stafin. Ata janë shumë të thjeshtë edhe pse janë aktorë me përmasa botërore”, tha aktori.
Sidoqoftë, kur flasim për aktorë që koleksionojnë trofetë e arta të Oscar-it, ndryshon puna!
“Ata quhen aktorë elitarë dhe bëjnë diferencën. Ruajnë hierarkinë e tyre”, tregoi ai.
Por si ia doli ish-gazetari të gjente shtegun e kalimit nga ekrani i vogël i televizorit, tek projeksionet e sallave të kinemasë? Si nëpër filma, rastësia është mbreti i botës. Marko u takua me Cameron Diaz, si reporter në promovimin e librit të saj.
“Nuk e kisha menduar kurrë se ishte aq e thjeshtë dhe e çiltër. Gjatë takimit ajo më dha 2-3 sugjerime dhe aty nisën shkëndijat e para ku unë nisa të jap performancën time në industrinë e filmit. Ajo ishte promotorja e parë”, tha Caka.
Sigurisht që në Hollywood nuk është aspak e lehtë të dalësh nga vorbulla e roleve të vogla. Qoftë edhe pjesëmarrja në audicione për një rol protagonist, mbetet e rezervuar vetëm për emrat e njohur të ekranit.
Por, si sillen aktorët protagonistë me ata të roleve të vogla në sheshxhirim?
“Për ndonjë aktor të famshëm kam rezervat e mia. Është preferenca ime. Për shembull Zac Efron nuk më ka pëlqyer, ndoshta s’duhet ta them këtë. Kam punuar me të gati 2 muaj dhe nuk e kam pëlqyer si karakter”, tha ai.
Dhe, nëse keni pyetur ndonjëherë veten në ç’kushte punohet në sheshxhirimet e Hollyëood-it, Marko Caka na shuan çdo kureshtje. Edhe për pagesat.
“Paga e një figuranti është 200 deri në 300 Dollarë dita, në varësi të orareve. Nëse ke një rol me një skenë të vogël dialogu, fillon nga 1.000 Dollarë dita dhe më pas 970 Dollarë për çdo fjali”, tha Caka.
Shansi nuk i mungoi Markos. Por mesa duket nuk paska qenë e thënë. Një rol në serialin “The Deuce” të James Franco-s me rrjetin HBO, mund të kishte qenë mundësia që audienca t’ia dëgjonte më në fund zërin. Por, një arsye tejet personale e detyroi Markon ta refuzonte.
“Ka qenë një rol për skena homoseksualiteti të viteve 1970. Nga karakteri artistik mund të ishte një hap shumë i mirë në karrierë. Por ishte pak e sikletshme sepse nuk mund të ndërtosh një karakter nëse nuk është në prirjet e tua. M’u duk shumë e sikletshme”, tha aktori.
Megjithë mirësjelljen dhe profesionalizmin e njerëzve që ka njohur, mos prisni ta shikoni shpejt në ndonjë rol protagonist. Rruga drejt skenave me dialog duket se ka për të qenë shumë e gjatë.