Fal dhe harro, kjo është mënyra e vetme me të cilën ne mund të ndihemi më mirë edhe me veten tonë. Vetëm duke harruar, ne mund të themi se e kemi kaluar plotësisht atë që na ka lënduar dhe që ka qënë e rëndë për ne.
Duhet ta pranojmë se njerëz të këqinj ka kudo; njerëz që duan t’i shohin të tjerët keq ekzistojnë kudo; njerëz që nuk pendohen për gabimet e tyre po ashtu vihen re kudo. Nuk e kemi ne në dorë për ta ndryshuar gjithë realitetin që ekziston. Ne mund të përpiqemi, por duhet një përpjekje madhore dhe me përfshirje masive që të ndryshojë diçka, por deri në një moment të tillë, gjithçka e ligë që na bëhet, do të na dëmtojë. Kjo është arsyeja se pse duhet të falim përherë, thuajse çdo ditë, duke kuptuar se ligësia është pjesë e karakterit të dikujt që nuk është mjaftueshëm i fortë për t’i përballuar problemet e veta dhe zgjidhjen e vetme ka të lëndojë edhe të tjerët, për t’i parë edhe ata keq. Ndaj, ne nuk duhet të bëhemi pjesë e stuhive që nuk na përkasin ne dhe në errësirën që nuk është pjesë e udhëtimit tonë. Falja është një nga strategjitë më të mira të mbijetesës, pasi vetëm kështu mund të ndihemi se jemi të fortë. Të gabosh është njerëzore, pra është në duart e gjithsecilit, ama të falësh është hyjnore. Fal pa marrë parasysh që të kanë lënduar; fal sepse je mjaftueshëm i/e fortë, sa për të mos u kapur pas së shkuarës.
Por çfarë ndodh pas faljes? A duhet të mjaftojë me kaq gjithçka?
Dua të citoj një thënie të Ismail Kadaresë: “Të falësh nuk do të thotë të harrosh”. Dikush e interpreton në të njëjtën mënyrë dhe mbështet të njëjtin mendim. Dikush tjetër thotë se të falësh do të thotë edhe të harrosh, pasi ndryshe nuk do të quhej falje. Personalisht mendoj se duhet të kesh një forcë shumë të madhe për të falur gjithçka që të bëhet, por duhet edhe ta duash mjaftueshëm veten për të harruar gjithçka që të jesh i/e lumtur. Të falësh do të thotë ta bësh tjetrin të kuptojë se ti ke harruar të shkuarën, ndaj bëje këtë gjë. Harro dhe lëre të shkuarën pas krahëve. Kështu do të jesh tepër i lumtur për të ecur përpara në jetë. Mos jeto me hijet e së shkuarës. Nuk ia vlen, më beso! / bota.al