40-vjeçarja amerikane Sarah Thistlethwaite, nuk e kishte marrë kurrë me mend që shtatzënia e saj e dytë do të ishte aq e vështirë, dhe që emri i saj do të bënte jehonë në të gjithë shtypin e kohës. Gjithçka po shkonte shumë mirë deri në muajin e 6-të të shtatzënisë, periudhë ku ajo u detyrua të shtrohej në spital e më pas të sillte në jetë në muajin e 8-të, dy binjaket e saj.
Për çudi të të gjithëve, sidomos të mjekëve sipas të cilëve nuk kishte asnjë mundësi për mbijetesë të dy fetuseve, ato ndanin të njëjtën qese amniotike dhe placentë, një gjendje shumë e rrallë. Sarah solli në jetë dy vajzat e saj Jenna e Jillian, më 9 mars 2014 dhe fotoja e dy foshnjave që ishin të kapura për dore bëri bujë në rrjete sociale e më gjerë. Lindja me prerje cezariane ishte relativisht e vështirë, por stafi që ndoqi atë arriti të shpëtonte jetën e nënës dhe dy vajzave. Ato ishin të shëndetshme, ndonëse me një peshë prek 2.3 kilogramësh secila.
Dukej sikur ajo foto ishte një thirrje për dy luftëtaret e vogla, të cilat ashtu të kapura pas njëra-tjetrës donin aq shumë të kapeshin edhe pas jetës, dhuratës më të mrekullueshme që ka njeriu. E ndërsa kanë kaluar katër vjet nga ky moment, Sarah tregon që vajzat janë shumë të lidhura me njëra-tjetrën. Ato parandiejnë kur ndonjëra ndihet keq apo ka nevojë për ndihmë, një lidhje që sipas mamasë së lumtur, do të zgjasë përgjithmonë.