Një doktor, i cili preu aksidentalisht në kokë një bebe gjatë një ndërhyrjeje emergjente cezariane, tha para hetuesve se ngjarja do të mbetet gjithnjë në mendjen e tij.
Millie-Rae Kimberly Dowd vdiq pak kohë pasi kishte lindur, në spitalin Singleton të Swansea, Uells, më 12 Janar të 2017-s.
Një hetim gjyqësor mbi vdekjen e saj zbuloi se bebja kishte pasur mungesë oksigjeni gjatë lindjes dhe kishte fare pak shanse për të mbijetuar.
Por mjeku që po mbikëqyrte lindjen e preu aksidentalisht në kokë, pasi e ngatërroi për membranën.
E ëma e Millie-Rae, Stacey Mears e mori vesh që bebja e saj kishte vdekur vetëm pasi i kishte dalë anestezia.
Vetë nëna tregoi se mjekët i kishin thënë që e kishte placentën shumë poshtë, e për këtë arsye përpara ose gjatë lindjes mund të kishte shumë gjakderdhje.
Në atë kohë 26 javëshe shtatzënë, ajo u shtrua në spital pasi mjekët i thanë se mund të lindte ditët në vijim.
Plani ishte që bebja të mbahej sa më gjatë në bark, në mënyrë që të kishte sa më shumë shanse për të mbijetuar.
Por duke qenë se nisi të kishte probleme, mjekët u detyruan që ta fusnin në sallë të lindjes.
Paul Flynn ishte mjeku qe mbikëqyrte lindjen. Ai tregoi se e kishte prerë placentën në mënyrë që të minimizonte gjakderdhjen. Këtë e kishte bërë fillimisht me thikë e më pas me gisht kishte krijuar një vrimë.
Ai përdori bisturi për të prerë atë që besonte se ishte membrana, por që fatkeqësisht rezultoi se ishte koka e bebes.
Flynn u shpreh i keqardhur për ngjarjen. Ai tha se kurrë më parë nuk i kishte ndodhur diçka e tillë, gjatë gjithë karrierës së tij. “Është diçka që do qëndrojë gjithmonë në mendjen time”, tha ai.
Nga ekzaminimi mjeko-ligjor rezultoi se bebja kishte vdekur nga mungesa e oksigjenit dhe se nuk do të kishte mbijetuar edhe nëse mjeku nuk do ta kishte çarë në kokë.
Megjithatë hetimet për këtë ngjarje vijojnë.