Cili është në thelb kuptimi i Krishtlindjes? E di, konsumerizmi! Prit, e di edhe që ka të bëjë me familjen! Bashkimin. Krishtlindja është për shumë gjëra. HIstoria është kaq shumëplanëshe, saqë ia vlen të vështrojmë disa prej kuptimeve të Krishtlindjes, të cilave nuk u kushtojmë vëmendje – kuptime që mund të ndryshojnë jetët e njerëzve. Ja pesë prej tyre.
- 1. Biblike
Historia e Krishtlindjes ndodh në brendësi të një historie më të madhe, Biblës, e cila është një histori, pak a shumë për gjithçka – është fjalë për fjalë, historia e kozmosit dhe Zotit që e krijoi atë. Rrëfimi kryesor i Biblës është për Zotin, i cili krijon një univers në dobi të krijesave të tij, që ato të përjetojnë dritën e bashkësisë, katastrofën e ardhshme që e dëmton këtë krijesë, dhe më pas vendimin e Zotit për të shpëtuar dhe falur krijesën e Tij. Si ia bën Zoti? Përmes besëlidhjes. Në botën e lashtë, besëlidhja ishte forma më e fortë e aleancës. Kontratat janë rregulla për shkëmbimin e mallrave dhe shërbimeve, por besëlidhjet janë marrëveshjet për shkëmbimin e njerëzve dhe sjelljes së tyre – një besëlidhje krijon një lidhje familjare. Dhe besëlidhja më e rëndësishme në Bibël, kur lind Jezusi, është besëlidhja e Zotit me Abrahamin, përmes të cilës Zoti krijoi një popull, i mësoi atij rregullat e Tij, dhe përmes tyre, fali pjesën tjetër të krijesës. Kjo është historia e Izraelit. Dhe pjesa më e madhe e Biblës ka të njëjtën temë: Izraeli nuk i bindet vazhdimisht Zotit, gjë që e çon në gjithfarësoj telashesh, por Zoti nuk heq asnjëherë dorë nga pjesa e tij e besëlidhjes. Historia e Krishtlindjes ka të bëjë me faktin që Zoti përmbush anën e tij të ujdisë, duke dërguar Mesian, përmes të cilit përmbushet besëlidhja. Krishtlindja nuk mund të kuptohet, pa kuptuar këtë sfond të pasur Biblik, të historisë së Universit dhe të Izraelit.
- 2. Politike
Krishtlindja është lindja e një mbreti. Ungjilli sipas Lukës, prej ku kemi mësuar pjesën më të madhe të rrëfimit të Krishtlindjes, ëhstë i qartë për këtë – autori vë theksin në lidhjet mes Jezusit foshnje dhe sundimtarëve të kohës. Historia fillon me Cezar Augustin dhe regjistrimin që ai i bën “të gjithë Tokës së banuar”. E megjithatë, një engjëll u shfaqet barinjve, për t’u dhënë atyre lajmin e lindjes së Jezusit “në qytetin e Davidit”, mbreti historik i Izraelit, “Mesia, Zoti”. Dhe me këtë, “krejt papritur, me ëngjëllin u shfaq një turmë ushtrish qiellore”. Kuptimi politik i Krishtlindjes është se çdo sundimtar dhe çdo autoritet i përgjigjet Zotit – foshnja i vogël i mbështjellë me pelena në një djep, Zoti i përulësisë dhe mëshirës, i cili është Zoti i të shtypurve.
- 3. Sociale
Mbreti i ri nuk ka lindur në një pallat, lindja e tij nuk u brohorit dhe nuk u shpall në çdo qoshe të perandorisë. Familja e tij ishin refugjatë: Ata nuk mundën të gjejnë një dhomë në një han; Maria e lindi Jezusin në një ahur; dhe foshnjës iu desh të pushojë në një grazhd. Mesazhi i Krishtlindjeve është padyshim një mesazh për të varfërit, për vogëlushët, për ata që janë të shtyrë në skajet e shoqërisë. Ata janë njerëzit që Zoti i zgjedh, janë njerëzit ku ai sheh më së pari.
- 4. Metafizike
Për të Krishterët, Jezusi nuk është thjeshtë një figurë e rëndësishme dhe një udhëheqës apo mësues shpirtëror. Ai është Biri i Zotit – ai është Zoti i bërë njeri. Bashkë me Kryqin, Krishtlindja sjell në shtëpi, tek ne, misterin e kësaj marrëdhënieje. Siç e ka thënë G. K. Chesterton: “Duart që kanë bërë diellin dhe yjet, ishin shumë të vogla për të mbërritur tek kokat e mëdha të tufës”.
Rimishërimi, siç njihet kjo doktrinë, ndryshoi kuptimin e Zotit dhe Universit. Zoti është një Zot i dashurisë, një dashuri që ai e shprehu duke bërë Birin e tij, njërin prej nesh, dhe duke ndarë eksperiencën tonë. Zoti na shpëton, jo thjeshtë përmes një transaksioni legalistik ku mëkatet tona falen, por duke bashkuar natyrën e tij me tonën. Siç e thotë një frazë e shenjtë e traditës së krishterë: “Biri i Zotit u bë njeri, me qëllim që ne të bëhemi Zot”. Vokacioni i Universit është që Zoti të jetë “gjithçka në gjithçka”. Kuptimi kozmik i Krishtlindjes na zbulon ne natyrën e Universit.
- 5. Personale
Nëse vërtetë lejojmë që kjo histori të mbërrijë brenda nesh, me siguri që do të na ndryshojë në një nivel të thellë, personal. “Shenja” që engjëlli u jep barinjve është se ata do të gjejnë një bebe në një grazhd – një referencë ndaj Eukaristit, ku Zoti na jepet ne si ushqim. Kjo është thellësia e dashurisë dhe përulësisë së Zotit: Ai dëshiron të bashkohet me ne në kuptimin më të thellë, të bëhet njësh.
Kur ne lejojmë të gjithë këta kuptime që të bëhen njësh brenda nesh – kuptimin biblik, politik, social, metafizik – atëherë kuptojmë se jeta është e gjitha për dashurinë, një dashuri “që mbart gjithçka, beson çdo gjë, shpreson për gjithçka, duron çdo gjë”, një dashuri që jepet e tëra./ The Week – Bota.al