“Coca Cola” ka hedhur në treg pijen e parë alkoolike të saj, një lloj “alkopopi” me shije limoni, dhe e ka bërë këtë në Japoni, në një përpjekje për të eksploruar tregje të reja dhe konsumatorë të rinj.
Në një risi globale për gjigantin amerikan, 3 pije të gazuara me limon dolën në shitje të hënën. Produkti synon një treg në rritje të pijedashësve të rinj, veçanërisht femrave.
E cilësuar nga “Coca Cola” si unike në historinë 125-vjeçare të kompanisë, 3 pijet e nxjerra në treg mbajnë nga 3 deri në 8 për qind alkool.
Në kuadër të traditës së kompanisë, receta ruhet me fanatizëm, por pijet janë prodhuar duke u bazuar në pijet popullore të vendit, “Chu-Hi”, zakonisht një përzierje alkoolikësh lokalë dhe një numër me shije frutash.
“Chu-Hi”, një shkurtim për “shochu highball”, është hedhur në treg si një alternativë ndaj birrës, e ka rezultuar veçanërisht popullore mes femrave. Kompanitë lokale si “Suntory”, “Asahi” dhe “Kirin” dominojnë aktualisht sektorin për pijet “Chu-Hi”. Shijet më popullore janë ato me qitro dhe limon, kjo e fundit e testuar tani edhe nga “Coca Cola”.
Kompania thotë se nuk ka plane për të nxjerrë pijen e re në tregje jashtë Japonisë. Pijet “alkopop” kanë rezultuar të suksesshme edhe në Europë dhe në Britaninë e Madhe, në vitet 1990, me “Smirnoff Ice” dhe “Bacardi Breezer” që janë bërë shumë popullore.
Ato, sidoqoftë u bënë të polemizuara, si pasojë e shqetësimit se inkurajonin të rinjtë të pinin më shumë alkool, për shkak të shijes së ngjashme me limonatat.