Maqedonia e Veriut, si leku shqiptar: Grekët do t’i thonë “lekë të rinj”. Maqedonasit “lekë të vjetër”.
Nga QEMAL SAKAJEVA
Kur dy shtete, për një çështje në konflikt arrijnë në zgjidhje, ato duartrokiten pa u qortuar, ngjashëm si në thënien e njohur: “Fituesi nuk gjykohet!”
Shembulli më i fundit janë Maqedonia dhe Greqia, të cilat u përgëzuan e u mbështetën botërisht, me t’u njoftuar se Shkupi dhe Athina arritën kompromisin për daljen nga bllokimi i gjatë, duke i shtuar emrit të vendit një mbiemër, dhe nën shkrimin e marrëveshjes në Prespë, më 17 qershor 2018.
Me këtë gjetje,të pranuar nga të dy palët, përfundimisht:
Maqedonia heq pseudonimin FYROM, i vënë nga OKB - Former Yugosllav Republic of Macedonia, anglisht; Поранешна Југословенска Република Македонија/Poranešna Jugoslovenska Republika Makedonija - ПЈРМ, maqedonisht; Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë - IRJM, shqip.
Greqia i vë mbiemër - Maqedonia e Veriut, me gjithë rrjedhimet që pasojnë ndryshimin.
Para 27 vitesh, saktësisht më 1991, grindja mes dy shteteve fqinjë, për emrin Maqedoni dhe Yllin shumëcepësh të Vergines në flamurin e shtetit të sapopavarësuar, pati mbërritur në zyrat e OKB si diçka qesharake. Pas 27 vjetësh, mënyra e gjetjes, duke i shtuar emrit të shtetit vetëm mbiemër (orientimi gjeografik), të bën të thuash: Për çfarë janë grindur? Pse aq i gjatë bllokimi?!
Brenda një çerek shekulli qenë forcuar theksimet e kundërta: Shkupi nuk pranoi të ndryshonte emrin e vendit, qeveria e kryeministrit Nikolla Gruevski e mbushi Maqedoninë me simbolin e Aleksandrit të Madh.
Greqia, edhe pse i normalizoi marrëdhëniet me Maqedoninë, u bë edhe më e pamëshirshme në bllokimin e saj, pa dhënë asnjë shenjë tërheqjeje.
I dërguari personal i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Methju Nimic (Matthew Nimetz), për gjithë këtë kohë të gjatë nuk arriti dot t’i afrojë palët për ndryshimin e emrit.
Politika greke ka këmbëngulur që emërtimi i vendit fqinj të ndryshonte me themel, domethënë deri aty sa, edhe nëse do të ishte i përbërë, emri Maqedoni kurrsesi të mos ishte pjesë e tij.
Politika maqedonase ka këmbëngulur gjithmonë që, nëse s’ka rrugë tjetër veç domosdoshmërisë për ta ndryshuar, emri Maqedoni të jetë patjetër në thelb të zgjidhjes me kompromis, sepse kështu e njohin vendin 104 shtete të botës.
Të dy palët, kryeministri Zoran Zaev i Maqedonisë dhe kryeministri Aleksis Cipras i Greqisë, mbrojtën interesat e tyre kombëtare, secili me gjysmën - Shkupi duke ruajtur emrin Maqedoni, Athina duke i detyruar mbiemër.
Maqedonia ka humbur kohë shumë të gjatë, aq sa më vonë atje edhe mund të thuhet: “Pse nuk e shtuam “e veriut” qyshkur? Ky mbiemër nuk i heq thelbit asgjë?!”
Greqia nuk e fshiu dot emrin Maqedoni as për 27 vjet, ndaj, dikur, atje edhe mund të thonë: “Po për çfarë bllokuam një çerek shekulli?! Maqenoni ishte, Maqedoni mbeti?!”
Mbetja e emrit Maqedoni në emrin e kompozuar me mbiemër, grekëve do t’u dhembë përherë si një dhëmballë të cilës dentisti ia ka hequr kurorën, por rrënjët i kanë mbetur në thellësi të nofullës. Nëpër shumë breza do të sillet paradoksi i madh, mes zyrtares dhe jozyrtares, mes të brendshmes dhe ndërkombëtares, domethënë ndryshe do të jetë emri i shkruar në dokumente dhe ndryshe emri i folur nga populli. E gjithë përpjekja politike, diplomatike e gjuhësore do të çojë në një dukuri të mëpasme, le të themi, ngjashëm me ndryshimin e lekut shqiptar në vitin 1964. Atëherë raporti i vlerës së lekut u caktua 1 me 10, domethënë kartmonedhës 100 lekëshe iu hoq një zero dhe kartmonedha e re u bë 10 lekë. Ky veprim arithmetikor qe fare i pangatërruar për mbajtësit dhe përdoruesit e lekut. Kjo bëri që shqiptarët, edhe pas 54 vjetësh, domethenë dy breza njerëzorë njëri pas tjetrit, ndërsa në dorë mbajnë kartmonedhë të “lekëve të rinj”, me gojë vlerën ia thonë me “lekë të vjetër”.
Nëse Athina do ta mbështjellë pakënaqësinë me elegancë, mërzitja e Shkupit do të jetë e ambalazhuar me një gëzim të fshehur. Maqedonasit, ashtu siç kurrë nuk pëlqyen të thirren e vetëthirren me emrin FYROM, gjithmonë do të pëlqejnë, do të kërkojnë, do të vetëthirren me emrat Maqedoni, maqedonas dhe maqedonisht.
Njëlloj si në rastin e lekut shqiptar me vlerë të ndryshuar:
Grekët do të lexojnë siç shkruhet në hartë - Maqedonia e Veriut (domethënë “lekë të rinj’).
Maqedonasit do të thotë siç flitet në popull - thjeshtë Maqedonia (domethënë “lekë të vjetër”).