Nga Qemal SAKAJEVA
Pashko Vasa, ose Vaso Pasha, apo Vaso Pashë Shkodrani, poezinë e famshme “O moj Shqyni, e mjera Shqypni”, mendohet se e ka shkruar gjatë periudhës mes Lidhjes së Prizrenit më 1878 dhe vitit dramatik 1880. Gjatë thuajse një shekulli e gjysmë më pas, prej saj është veçuar sidomos vargu “Feja e shqyptarit asht shqyptaria”, që në vitet e komunizmit u shkrua vetëm në toskërisht dhe u përdor si citim për politikën e ateizmit. Nëse Pashko Vasa atëherë mëtonte t’i bënte shqiptarët bashkë për shpëtimin e Shqipërisë së qitun “me krye n’hi”, ky varg pas një shekulli e gjysmë ndeshet me tjetër “besim” ndër ne: As të krishterë, as myslimanë, por me paranë!
Të gjitha llojet e statistikave botërore, europiane, ballkanike dhe vendore janë tronditëse. Mediat e sotme - në letër, radiofonike, televizive e portale - janë përfshirë në lajme që i përsërisin pafund gjatë 24 orëve, me të cilat nxisin largimin e shqiptarëve. Sipas statistikave të OKB-së, që nga viti i ndryshimit të sistemit, Shqipërinë e ka braktisur rreth 40 përqind e popullsisë. Sonadazhet e kryera në vend thonë se 56 përqind e popullsisë së mbetur këtu është e gatshme të emigrojë nëse do t’i krijohet mundësia, ndërsa 70 përqind e të rinjve duan të ikin në Europë.
Ndërsa në Shqipëri nuk ka lajme për hapje të vendeve të punës, kohë më parë është botuar një lajm i shumëfishuar nëpër gazeta dhe i transmetuar nga televizionet, se Gjermania paska 1 000 000 vende pune të lira. Ky është si t’u thuash shqiptarëve: vërsuluni për atje sepse në një milion mundësi, ka mjaft edhe për ju! Nëse do të emigrojnë mijëra të tjerë në Gjermani, do të ndodhë si në sportelin e Sudes, që disa merrnin ca para por shumica i humbi: një numër edhe mund të punësohen, por ikja e mijërave do t’i bëjë të vërdallisen kampeve e rrugëve dhe pastaj kthim pas të zhgënjyer e të dëmtuar ekonomikisht, sepse tashmë është miratuar vendimi që Shqipëria është përfshirë mes vendeve të sigurta. Gjermania e fuqishme nuk po di çfarë të bëjë me ata emigrantë të panumërt që mësyjnë Bashkimin Europian, që arrijnë çdo javë në Europë nga Afrika përmes detit Mesdhe, pa harruar miliona të tjerë nga Siria e Afganistani.
Është për të vënë duart në kokë nga publikimi i një lajmi se Bullgaria kërkoka emigrantë, ky vend ballkanik me probleme të ngjashme e të njëjta si Shqipëria. Por sado që lajmi qe ritransmetuar, duhet të jenë fare të paktë dhe hiç ata shqiptarë që shkojnë atje për të punuar, përveç atyre që synojnë të marrin një pasaportë bullgare duke ndërruar shtetësinë shqiptare. E njëjta gjë thuhet edhe për Rumaninë, ndërsa shqiptarët e dinë se rumunët kanë ikur e ikin gati si ne. Ajo që nuk duhet besuar fare është thirrja për të shkuar në Hungari, sepse atje paska nevojë për fuqi punëtore emigratore, ndërsa gjithë bota nuk e ka harruar se Budapesti ishte i pari që ndërtoi gardhin e dyfishtë dhe e mbron me ushtri për të ndaluar futjen e emigrantëve, si dhe kundërshton fuqishëm Brukselin se nuk do të pranonte asnjë të tillë. Lajmet njoftuan për emigrim në Itali përmes aplikimit me adresën https:nullaostalavioro.dlci.interno.it, sepse përtej Adriatikut qenkan të lira 17 000 vende pune, a thua se nuk mjaftojnë mijëra shqiptarë atje që vijnë rrotull të papunë dhe mijëra të tjerë që mbërrijnë çdo javë në Siçili nga vende afrikane. Në këtë listë futej edhe Sllovenia e vogël, e cila paska nevojë për emigrantë, ndërsa mundësitë e saj janë si të një gote të mbushur buzë më buzë, që derdhet me një pikë më shumë.
Kurse lajmet për në SHBA janë të frikshme. Siç është bërë e ditur, aplikacionet e shqiptarëve për të emigruar në Amerikë, për vitet 2016, 2017 dhe 2018, janë me përmasa eksodi. Nëse SHBA do t’i pranonte të gjithë ata që kanë aplikuar, Shqipëria pëson një spastrim të menjëhershëm të popullsisë së vetë, ngjashëm si ajo e Kosovës gjatë luftës më 1999. Nxitja përmes lajmeve koti, çon në skaje të tjera botërore . Për shembull, ato thonë se India paska nevojë për fuqi punëtore. Dhe kush? Një shtet gjigant i mbipopulluar dhe me varfëri. Në to përmendet Guatemala në Amerikën e Jugut; Hong Kongu në Azi; ishulli i Tajvanit; edhe Japonia; madje-madje edhe më përtej, Zelanda e Re, sepse atje popullsia qenka e plakur dhe cilësia e jetës e lartë; ndërsa për emigrimin në Kanada, lajmet dhe shpjegimet nuk ndërpriten asnjëherë.
Edhe pse qysh nga koha e Lekë Dukagjinit thuhet se “Lajmsi s’ban faj”, me botimin e lajmeve nxitëse mediat bëhen bashkëfajtore në largimin e pafre të shqiptarëve. Ndër ne, domethënë në Shqipëri, ikja dhe bindja e patundur për të ikur, është aq gjithëpërfshirëse sa, vargu i Pashko Vasës duhet të ndryshohet kështu: “Feja e shqyptarit asht...emigrimi”.
/55News.al/