Nga Ylli Manjani
U bë rutinë kjo përplasja me policinë e banorëve të Nivicës. Në fakt e gjithë kjo përplasje është një lojë hilanjose krejt e pa sinqertë dhe me kosto për publikun.
Banorët-investorët-(pu)shteti janë të tre palët që luajnë me hilé! Banorët e Nivicës nuk kanë qenë asnjëherë në shekullin që shkoi pronar të atij vendi që quhet Gjiri i Kakomesë.
Qeveria e Zogut ju dha në PËRDORIM, pra jo në pronësi, pyjet dhe kullotat e asaj zone. Vetëm kaq! Asnjë dokument nuk provon pronësinë mbi tokën të asnjë banori atje. Autoritetet dhe gjykatat Shqiptare e kanë theksuar në mënyrë të përsëritur këtë gjë.
Ndaj pretendimi se po ju marrin tokat e të parëve është me hilé. I pabazuar askund!
Banorët e Nivicës kanë të drejtë, pa dyshim, të përdorin plazhin njësoj si çdo qytetar tjetër nga Saranda, Tirana, Kukesi etj. Investitorët/ndërtuesit, pra parellinjtë gënjyen shtetin për kaq vite që aty do ndërtonin nje resort turistik.
Madje ky resort do kishte dhe emra të mëdhenj si Club Mediterranea.
Por hiç! Mbi këtë gënjeshtër ata përfituan tokë me kontratë afat-gjatë qeraje, si fillim. Në vijim, pas një ligji të zi dhe të zbatuar për faqe të zezë, fituan dhe pronësinë mbi tokën me çmim ALUIZNI.
Pra me hilé e kishin dhe parallinjtë! Asgjë nga ato që premtuan të bënin, kur morën tokën publike, nuk bënë! Ca pllaka betoni të shpifura dhe një rrugë janë asgjë në raport me ç’premtuan dhe ç’përfituan!
Ndërkohë ata nuk janë pronarët e gjithë gjirit. Plazhi dhe aksesi në të janë publike! Ata nuk mund të vënë tra/portë hekuri në mes të rrugës e as në mes të detit. Maksimumi mund të rrethojnë pronën e tyre që kanë fituar me çmimin e ALUIZNIT. Kaq! Nuk mund të ndalojnë dot aksesin e njerëzve as nga toka e as nga deti për në plazh.
(Pu)Shteti është pa dyshim hilanjosi më i madh. Dha një tokë publike për një qëllim të madh dhe nuk bëri asgjë për ta mbrojtur pronën kur “qëllimi i madh” nuk u realizua.
Mori letrash, kontratash, lejesh me afate të tej-tejzgjatura u prodhuan, por asnjë rrjesht nuk ndaloi grabitjen e pronës publike.
Me hile e dha atë tokë me qera dhe po me hilé e shiti një pjesë të saj tek parallinjtë/investitorë. Me hilé (pu)shteti pranoi transaksione parallinjsh megjithëse investimi i premtuar dhe me emra të mëdhenj, që të gjithë do ishim dakort, NUK U BË! Dhe po me hilé (pu)shteti çon policë për të mos lejuar aksesin në plazh. Kulmi!
Shteti na e ka të gjithëve me hilé, sepse nuk mbron pronën publike, por e shet e tjetërson si mall pa zot. Pra të gjithë ja kanë me hilé njëri-tjetrit.
Puna është se një ditë të bukur, parallinjtë do hedhin (pu)shtetin në gjyq, sepse ky i fundit nuk garanton dot “investimin” nga kërcënimet e banorëve dhe gjykatat vendosin dëmshpërblim!.
Këtë të fundit e paguajmë TË GJITHË NE! Kështu hileté e Kakomesë bëhen të hidhura për të gjithë! Se as resorti do behet, as plazhi do përdoret, as banorët nuk do kullosin dot delet, por vetëm publiku do PAGUAJË!